E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me armë në Urën Vajgurore, dy të rinj në kërkim

 

URA–VAJGURORE – Konflikti i dy të rinjve që degjeneroi me plumba në mes të qytetit të Urës Vajgurore, terrorizoi dhe iu rrezikoi jetën dhjetëra banorëve. Një 21-vjeçar i shpëtoi mrekullisht plumbave të kundërshtarit të tij, me të cilin mësohet se kishte pasur një konflikt tepër të ashpër, vetëm disa orë para se ngjarja të precipitonte me plumba. Pasi nuk janë marrë vesh me fjalë, 20-vjeçari Mikel Hoxha ka qëlluar për të vrarë 21-vjeçarin Renato Gjoni. Policia bëri të ditur se Hoxha, banues në lagjen “Partizani” në Kuçovë, dhe Gjoni nga fshati Kozare kishin debatuar me njëri – tjetrin mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Kuçovës. Burimet shtuan se debati kishte ndodhur në një lokal në periferi të këtij qyteti, por motivet e saj ende nuk janë zbardhur. Ata janë ndarë në mbrëmje nga personat që janë gjendur në lokal. Por dje rreth orës 10:00, dy të rinjtë kanë nisur të përleshen sërish kur janë ndeshur në qendër të qytetit të Urës–Vajgurore. Ende nuk konfirmohet nëse ata e kanë ndjekur njëri-tjetrin, apo takimi në këtë qytet ka qenë rastësor. Sipas dëshmitarëve, ata janë sharë e ofenduar dhe më pas kanë përdorur edhe dhunë fizike karshi njëri-tjetrit. Në këto momente, Mikel Hoxha ka nxjerrë një pistoletë të cilën e kishte fshehur në rroba duke qëlluar në drejtim të 20-vjeçarit. Për fat të mirë, Gjoni iu ka shpëtuar plumbave. Pas ngjarjes ai është larguar në drejtim të paditur. Burime të policisë bënë të ditur se Mikel Hoxha, i cili njihet edhe me emrin Arben Vrapi, është larguar me makinën e tij kabriole me targa të huaja. Ai ka marrë rrugën në drejtim të kalasë së Beratit, ndërkohë që atje policia gjeti edhe makinën e tij. Ndërsa vetë i riu është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Ndërsa Renato Gjoni, makinën tip golf me targa KV 3113 B e ka lënë në vendngjarje dhe është larguar në drejtim të pa ditur. Policia tha se është vënë në kërkim të dy të rinjve ndërsa është duke punuar për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje të ndodhur në mes të qytetit. Duke qenë ditë pazari, dje në vendin e ngjarjes ka pasur shumë lëvizje të qytetarëve.     d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›