Meta: "LSI do të qëndrojë larg tensioneve false"
Autori i Lajmit: RedaksiaKoalicioni midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është një garanci për reformat. Ky ishte konstatimi i bërë dje nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë takimeve që zhvilloi në Skrapar dhe në Poliçan ku shoqërohej nga nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i LSI-së në qarkun e Beratit, Nasip Naço. Gjatë zhvillimit të këtyre takimeve anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së kanë vlerësuar pjesëmarrjen dhe angazhimin e LSI-së në Qeverinë e Integrimit. Në fjalën e tij, Meta është ndalur gjerësisht në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe reformat integruese që përbëjnë angazhimin kryesor të kësaj qeverie. Ai u shpreh se koalicioni midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është garancia e qytetarëve për realizimin e këtyre reformave. Më tej, Meta ka garantuar anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së se kjo forcë politike do të qëndroj larg tensioneve false. Veprimi politik i LSI-së, deklaroi ai, do të ketë si orientim vetëm integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke u ndalur në problematikat e Beratit, garantoi se qeveria do të ketë në prioritet zhvillimin e këtij qyteti. Duke konsideruar vitin 2010 si vitin më të rëndësishëm për sa i përket konkretizimit të reformave dhe proceseve integruese të vendit, Meta ftoi opozitën që të kryejë rolin e saj, jo vetëm në përmbushjen e standardeve të BE-së, por edhe në realizimin e aspiratave të qytetarëve shqiptarë dhe vetë votuesve të saj. “Dorëzimi i Pyetësorit nga Komisioni Evropian përbën një moment historik për vendin, moment që kërkon kontributin dhe energjitë e gjithë aktorëve të politikës, si dhe përfshirjen e faktorëve të tjerë, të shoqërisë civile, ekspertëve e më gjerë”. Në përfundim të këtyre takimeve, duke bërë thirrje për një etikë të re politike në vend, Meta u shpreh se “në Evropë nuk shkohet me mllefe personale”.
Ky lajm është publikuar: 20/12/2009