E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Spanja "harron" Shqipërinë

Autori i Lajmit: RedaksiaMinistri i Jashtëm, Miguel Angel Moratinos, prezantoi në Bruksel prioritetet e presidencës spanjolle që do të drejtojë Bashkimin Evropian nga 1 janari deri më 30 qershor 2010. Vendi që nuk ka njohur ende pavarësinë e Kosovës dhe që mbështeti iniciativën e Greqisë për të shtyrë datën për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë, rendit në vend të katërt të prioriteteve, zgjerimin. Ministri Moratinos përfshiu Kroacinë në një bllok me Islandën e Turqinë e më pas foli për Ballkanin duke nisur me Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, harroi Shqipërinë, por u kujtua për Bosnjën. “Në kuadrin e fqinjëve që dëshirojnë të integrohen në BE kemi Ballkanin, ku disa vende janë më afër procesit të anëtarësimit. Kështu, sapo të zgjidhet çështja e emrit të Maqedonisë, ne shpresojmë që do të mund ti përshpejtojmë hapat e anëtarësimit me këtë vend, po kështu me Malin e Zi, apo të pranojmë kandidaturat e vendeve të tjera të rajonit në mënyrë që të jepet një perspektivë e qartë evropiane e të sigurojmë stabilitetin përfundimisht në këtë zonë. Ne e njohim pozicionin e Bosnjës dhe do ti japim karakter prioritar”, - u shpreh ministri spanjoll për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin, Moratinos. I saponderuar me titullin Qytetar i Beogradit, javën e kaluar, ministri Moratinos sqaroi gjatë konferencës për shtyp se presidenca spanjolle do të mirëpriste aplikimin e Serbisë për statusin kandidat. Ndërsa për Kosovën, tregoi se mosnjohja e statusit nga Spanja, nuk do të pengonte mbarëvajtjen e misionit të BE-së.

Ky lajm është publikuar: 20/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›