E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e qershorit Rama në Kongresin e PBDNJ: "Zgjedhjet sishin demokratike"

Autori i Lajmit: RedaksiaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është përballuar dje me akuzat e drejtpërdrejta të aleatit të tij, kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i cili deklaroi se PS nuk i mbrojti votat në zgjedhjet e 28 Qershorit. I pranishëm në Kongresin e PBDNJ-së, ai pohoi se nga zgjedhjet e fundit parlamentare doli e humbur gjithë opozita, se ato nuk ishin demokratike dhe transparente, duke justifikuar në këtë mënyrë dhe rezultatin e këtij procesi. Duke theksuar se aleanca me PBDNJ është një aleancë natyrale, Rama premtoi se ajo do të forcohet edhe më tej në të ardhmen. “Dua ta adresoj drejtpërdrejt, ashtu siç e adresoi kryetari i partisë suaj në fjalën e tij, lidhur pikërisht me objektivat e përbashkëta, por edhe të përveçmet, faktin se PBDNJ dhe përfaqësuesit e saj në betejën e 28 Qershorit ndihen të lënduar. Ndihen të lënduar për shkak të mosmarrjes së hakut, siç e tha Vangjeli. Dua të theksoj që në pikëpamje të objektivave të përbashkët jemi të gjithë të lënduar, sepse 28 Qershori ishte dita kur populli sovran u shpreh për një ndryshim të madh, dhe njëkohësisht kur vullneti i shprehur i popullit sovran u deformua, dhe sot e gjithë ditët, është i marrë peng në kutitë e votimit, në ato kuti votimi që duhen hapur edhe për të adresuar mbi bazën e provave e të fakteve shqetësimin serioz dhe plotësisht legjitim të PBDNJ dhe të përfaqësuesve të saj”, - tha dje Rama. Ai shtoi se vetëm transparenca e 28 Qershorit mund ti japë Shqipërisë e shqiptarëve mundësinë për të bërë një kapërcim esencial dhe historik, nga një traditë zgjedhjesh tradicionalisht të deformuara e të kontestuara, në një traditë të re zgjedhjesh, ku çdo qytetar e sheh të numëruar ndershmërisht votën e tij, pasi e ka hedhur atë lirisht. “Arsyeja pse ne duam hapjen e kutive të votimit është arsyeja që lidhet edhe me nivelin e përgjegjshmërisë në raport me Kushtetutën dhe me ligjin. Duhet të marrë fund historia e një vendi ku tjetër votohet e tjetër numërohet, për shkak të ndërhyrjes barbare në proces dhe për shkak të një korrupsioni elektoral që është e keqja më e madhe që ka ky vend”, - tha ai. Duke e konsideruar këtë proces si turpin më të madh, Rama shtoi se pikërisht për këto arsye synohet të shkohet të zgjedhje të reja. “Duhet të shkojmë drejt zgjedhjeve me ambicien për të shpalosur vizione, alternativa, programe, ide dhe për tu ballafaquar në këtë fushë me bindjen se zgjedhjet mbarojnë kur populli voton, dhe nuk fillojnë mbasi shteti merr në krahë kutitë”, - tha ai. Kreu i PS-së shtoi se domosdoshmëria për të pasur një qasje tërësisht evropiane edhe në raport me të gjitha minoritetet bën që PS ta shohë PBDNJ jo thjesht si njëri ndër aleatët, por si aleati që ka zërin më të plotë lidhur me këtë çështje.

Ky lajm është publikuar: 20/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›