Protesta në Shkodër Ftesës për dialog, Rama i përgjigjet me protesta
Autori i Lajmit: RedaksiaSocialistët janë ndalur dje në Shkodër e Lezhë për të protestuar kundër mazhorancës së djathtë dhe kryeministrit Sali Berisha. Nën moton Hap kutitë ose largohu ata i kanë bërë thirrje Berishës të përgjigjet para shqiptarëve për krizën në të cilën është zhytur vendi. Kryesocialisti ka rikonfirmuar edhe një herë vazhdimin e protestave duke iu kundërpërgjigjur negativisht ftesës së kryeministrit Sali Berisha, por dhe komenteve të ditëve të fundit të bëra nga numri dy i Qeverisë, Ilir Meta, për një dialog mes krerëve të dy partive të mëdha.
Deklarata
“Nuk ka kthim në Parlament pa transparencën e 28 Qershorit, miqtë e mi. Sali Berisha e ka humbur të drejtën për Shqipërinë, jo vetëm sepse ka grabitur votat, por edhe sepse ka gënjyer vazhdimisht. Nga Lezha dhe nga Shkodra po ju themi se mbi gënjeshtra që çdo ditë i kushtojnë Shqipërisë, po ngrihet një borxh që po bëhet i papërballueshëm, nuk e ka fajin opozita për këtë krizë, këto janë zullumet e njeriut që grabiti zgjedhjet”, - tha ai. Sipas Ramës, protestat bëhen në emër të gjithë shqiptarëve të pakënaqur, që jo vetëm janë të fundit në rajon, por edhe nuk kanë mundësi të festojnë festat e fundvitit, pasi Berisha nuk u ka dhënë as rrogën e fundvitit. “Një tjetër popull fqinj feston heqjen e vizave, feston bashkimin e qytetarëve të vet me Bashkimin Evropian. Malazezët, serbët, maqedonasit, sot festojnë, ndërsa ne protestojmë, kjo ka të bëjë me këtë qeveri, ka të bëjë me këtë kryeministër pinok që vetëm gënjen dhe që sot i ka lënë shqiptarët të fundit në BE”,- u shpreh Rama. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se në kutitë e mbyllura fshihet një politikë e re, që vetëm me largimin e Berishës do të mund ta gëzojnë shqiptarët. “Në kutitë e mbyllura qëndron politika e re për shëndetësinë, për biznesin që po rrënohet nga dita në ditë, se Shqipëria nuk mund të rrijë e varur në gënjeshtrat e Pinokut, i përsëris: "hap kutitë ose largohu", se këtë krizë e solle ti dhe nuk mund ta vuajë një popull i tërë”, - tha ai. Duke e vënë theksin në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, vështirësitë ekonomike me të cilat do të përballen qytetarët dhe bizneset gjatë vitit që po troket, Rama ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund betejën për hapjen e kutive të votimit, ku sipas tij, fshihet vendimi i shqiptarëve. “Me siguri biznesmenët e vegjël nuk e kanë marrë vesh akoma se çmimi i energjisë nuk është rritur 13, por 22%. Shqipëria e ka të pamundur të festojë, kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjen e rrogës në vigjiljen e Vitit të Ri. 540 mijë pensionistëve iu mor vota ndërsa 46 mijë invalidë u harruan nga qeveria. Hap kutitë ose largohu, Pinok, sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re”, - theksoi kreu i opozitës. Sipas kryesocialistit, Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur jo vetëm për vjedhjen e votave, por për mohimin e së drejtës së popullit për të parë votën e tyre. “Sali Berisha ka humbur të drejtën për të qeverisur se ka ndaluar hapjen e kutive të votimit ku mban peng të ardhmen e shqiptarëve. E drejta për të votuar lirisht e për të parë votën është e drejtë themelore, të cilën do ta kërkojmë me forcë në çdo shesh, në çdo qytet, deri në lirinë e vërtetë të zgjedhjeve, deri në largimin e Sali Berishës”, - përfundoi ai.
Ky lajm është publikuar: 20/12/2009