E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI forcë e parë në 4 qarqe, do marrim 40 deputetëb

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në një intervistë në emisionin “Opinion” në TV Klan me gazetarin Blendi Fevziu u shpreh i sigurt në fitoren e mbi 40 deputetëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Ai u shpreh se në katër qarqe, LSI është forcë e parë, para PD-së dhe PS-së, si Berati dhe Fieri.
Zoti Meta, ju jeni shprehur se nëse nuk merrni 35 deputetë do të rishikoni pozicionin tuaj në krye të LSI-së?
Absolutisht, LSI do të marrë mbi 40 deputetë. Mund t’ju them me bindje të plotë se LSI është forcë e parë në katër qarqe, para PD dhe PS, është forcë e parë në qarkun e Beratit, në qarkun e Fierit dhe do marrim në total mbi 40 deputetë.
Sondazhet japin të tjera numra?
Cilat sondazhe, ato që thonë se kush është politikani më i mirë, Rama apo Berisha dhe politikanë të tjerë nuk ekzistojnë për kompanitë e sondazheve? Jo këto nuk janë sondazhe serioze, por janë të trupuara, të porositura dhe tentojnë të orientojnë popullin dhe jo të votojë ashtu siç ai mendon vetë. Unë kërkoj të ftoni këtu të gjithë organizatorët e sondazheve. Unë do të hedh në gjyq kompanitë e sondazheve. Ju do të shikoni se si do të dalin sondazhet më 28 qershor.
Një spot elektoral i PS bën thirrje të mos votohet LSI. Përse një i majtë duhet t’u japë votën?
Sepse unë jam i vetmi lider i majtë në këto zgjedhje. Më 29 qershor unë nis punën për të bashkuar gjithë të majtën pa përjashtim. Zoti Rama besoj se do të reflektojë shumë shpejt. Të jeni të sigurt se në mëngjesin e 29 qershorit ai do të gjejë forca dhe do të vijë në selinë e LSI për t’u bashkuar, ashtu siç erdhi në zgjedhjet vendore të 2007.
Çdo të thotë i vetmi lider i majtë, sepse zoti Rama është kryetar i PS-së?
Zoti Rama është përtej të majtës dhe të djathtës. Ai praktikisht nuk është në garë, nuk ka një program. Ajo që zoti Rama shpërndan në çdo shtëpi është një fletushkë. Përse nuk erdhi këtu tek ju të ballafaqohemi për programin. Ai nuk ka asnjë program dhe nuk është gati të qeverisë vendin, i papërgatitur të marrë përgjegjësi të mëdha, që të marrë fatet e vendit.
Edhe në 2007, ai nuk erdhi në debate dhe ju thatë se ishte zgjidhja më e mirë për Tiranën
Ishte zgjidhja më e mirë përballë kandidatit të Berishës. Nuk mund të them se nuk na ka zhgënjyer gjatë këtyre viteve. Bashkia është lënë pas dore dhe janë bërë hapa prapa, në drejtim të gjelbërimit, të ambienteve sportive dhe në drejtim të ofensivës që duhet ndalur për betonizimin e Tiranës.
Zoti Rama është shprehur se vota për LSI është votë për Berishën?
Kjo është një tezë mashtruese dhe diversioniste sepse sistemi proporcional nuk merr votat e partive të tjera. 
Ku LSI është më e fortë zoti Meta?
Në Tiranë, jeni të ftuar në sheshin “Skënderbej” të shihni se ku LSI është më e fortë. Tirana është beteja më e madhe dhe këtu ne jemi më të fortë. Sheshet që mbush LSI nuk janë as nga administrata bashkie dhe as nga administrata e qeverisë. Me këtë lloj sistemi në Tiranë, ne marrim 4 deputetë me votat e 2007.
Aktualisht sa deputetë mendoni se do merrni në Tiranë?
Ne do të kemi një grup të plotë parlamentar nga Tirana, 7 ose 8 deputetë.
Zoti Rama i është përgjigjur ftesës suaj për tryezë të së majtës, që nëse ju doni të largoni Berishën të votoni numrin 33, PS. Si e komentoni këtë deklaratë?
Mendoj se kjo tregon se ai është i papërgatitur të marrë përgjegjësi të mëdha. Kjo tregon se ai duhet të piqet akoma politikisht. Nuk mund t’i përgjigjesh ftesës së një kryetari partie nisur nga interesi i atyre që janë në opozitë. Ftesën duhet ta bënte zoti Rama. Nuk jam i dëshpëruar por as i kënaqur me këtë mungesë.
Me cilën forcë do ishit të gatshëm të bëni koalicion?
Vetëm me PS dhe asnjëherë me Sali Berishën.
Me çfarë kushtesh do bashkoheni me zotin Rama?
Unë besoj se shqiptarët do votojnë Ilir Metën për kryeministër sepse kam dhënë prova. Kryeministër do të jetë ai që do të ketë një program. Edhe nëse do të jetë zoti Rama kryeministër, ne do kërkojmë programin e tij qeverisës.
Në rast humbjeje çfarë do të bëni?
Do rishikoj pozicionin tim si kryetar i LSI.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›