E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Më 29 qershor, Dibra do gdhihet e kuqe si flamuri ynë

 

LSI ka zbritur në sheshin kryesor të qytetit të Peshkopisë me mijëra mbështetës dhe simpatizantë të saj. Në fjalën e tij, në mes të entuziazmit që i rezervuan dibranët, kreu i LSI-së Ilir Meta u shpreh se “Dibra do të gdhihet e kuqe më 29 Qershor, sepse i kuq është flamuri ynë kombëtar dhe Dibra dhe dibranët gjithmonë kanë sakrifikuar për lirinë e Shqipërisë në të gjitha kohërat dhe njëkohësisht, Dibra më 29 Qershor nis rrugën e saj të zhvillimit dhe prosperitetit, të mirëqenies dhe të dashurisë me njëri –tjetrin”. “Unë jam i bindur që më 28 Qershor dibranë e dibrane, do të votojnë për LSI, sepse është LSI ajo që do të bëjë të mundur që me votën tuaj me 28 Qershor zëri i Dibrës të dëgjohet shumë fort në Parlamentin e Shqipërisë, që problemet e Dibrës të ngrihen më në fund në Parlament dhe në Qeverinë e ardhshme, që ato të marrin zgjidhje. Por dibranët duhet të votojnë LSI edhe për një arsye shumë të rëndësishme, sepse LSI është alternativa e vetme që del para Dibrës dhe Shqipërisë me një program të qartë, që është pikërisht Plani për Veprim”, tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, është ky Plan për Veprim i vetmi dokument që garanton nxjerrjen e bujqësisë dhe blegtorisë nga kriza, që garanton krijimin e industrisë agropërpunuese, që në emër të luftës kundër komunizmit nga Sali Berisha u shkatërrua, sepse prodhimet e Dibrës eksportoheshin edhe jashtë Shqipërisë. “Dibra do të votojë për LSI, sepse LSI do të ndihmojë dibranët që të punojnë dhe të korrin frutet e punës së tyre. Ndaj më 28 Qershor do të kthejmë në shtëpi Sali Berishën, se ka mbushur edhe moshën e pensionit dhe të nisim rrugën e një maxhorance të re dhe të një Qeverie të re”, u shpreh kreu i LSI-së në qytetin e Peshkopisë. Sipas Ilir Metës, “LSI me programin e saj për subvencionimin, do të ndihmojë fermerët në mënyrë që të rrisin mirëqenien e tyre, sepse LSI është e vetmja forcë politike, që ka një plan konkret për punësimin, sepse ne garantojmë që përmes punësimit jetik çdo familje e varfër të ketë një pjesëtar të saj t’i ofrohet një vend pune”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›