E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Serbia pa viza, ne jo për faj të Berishës

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama akuzoi dje nga Laçi Kryeministrin Sali Berisha me qeverisjen e tij katër vjeçare nuk arriti të heqë vizat me Bashkimin Evropian.

Kreu i PS-së theksoi se vendet e rajonit, megjithëse kanë qenë në pozita më pak të favorshme se Shqipëria, kanë fituar tashmë liberalizimin e vizave, ndërsa qytetarëve shqiptarë, sipas tij do t’u duhet të hyjnë me vizë edhe në Mal të Zi e Maqedoni. “U bënë 18 vjet që politika e vjetër e të shkuarës, na premton viza, u bën 18 që emigrantët ndonëse punojnë në vende evropiane, nuk hynë e dalin si të gjithë shtetasit evropianë në këtë zona dhe kur duan ata. Sali Berisha ka paturpësinë të premtoj prapë, ndërkohë që sot Shqipëria ka mbetur e vetme jashtë programit të heqjes së vizave nga Komuniteti Evropian. Imagjinoje edhe Serbia, që vetëm pak vite më parë ishte e izoluar nga bota, fitoi ftesën për në BE, ndërsa ne do na duhet të kalojmë edhe në Mal të Zi apo Maqedoni, njësoj si edhe në shtete e tjera të Bashkimit Evropian”, theksoi Rama. Sipas tij “a e dini pse Shqipëria mbeti jashtë këtyre vendeve fqinje? Jo për fajin e Evropës, pasi ajo i mirëpret shqiptarët, jo për fajin e shqiptarëve që jetojnë prej 18 vitesh në Evropë. Por pikërisht nga Sali Berisha, i cili do të bëjë biznes për llogari të familjes kryeministrore. Ne jemi më keq se ç’ishim pak kohë më parë, sepse jo për të shkuar në Itali, por edhe në ato vende që nuk kemi ikur me viza, tani do na duhet të ndjekim të njëjtat procedura. Po të njëjtat burokraci”, vijoi më tej Rama. Sipas kreut të PS-së, angazhimi i kësaj partie pasi të vij në pushtet më 28 qershor është pikërisht heqja e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian brenda vitit të parë të mandatit. Rama tha se atë që Berisha nuk e bëri për katër vjet, PS-ja do ta bëjë brenda vitit. Kreu i Partisë Socialiste theksoi se zgjedhjet e 28 qershorit nuk do të jenë përballja e radhës mes demokratëve të thjeshtë dhe socialistëve të thjeshtë, por e qytetarëve demokratë dhe socialistë për shërbime më të mira spitalore, për pensione më të larta dhe cilësi jete më të mirë. “Diktatura komuniste u ngrit si mur i pakapërcyeshëm mes Shqipërisë dhe Botës, për gjysmë shekulli ai mur i lartë u kthye në burg. Nuk i la familjet e mërgimtarëve të ktheheshin dhe as i la të bashkoheshin dhe të komunikonin me ta. Por ato pamundësi çnjerëzore duhen kapërcyer një herë e përgjithmonë. Shembullin e diktaturës komuniste e vuajnë, qindra e mijëra familje shqiptare të cilat vazhdojnë të ndahen dysh edhe sot, ku familjet vazhdojnë të ndahen, ku fëmijët kanë ikur duke emigruar për një jetë të mirë jashtë vendit, ndërsa prindërit e tyre nuk kanë mundësi ti takojnë”, vijoi më tej kreu i Partisë Socialiste. “Më 28 qershor nuk do të humbasin qytetarët e thjeshtë e të ndershëm demokratë, por do të humbasë një grusht politikanësh, të cilët kanë vrarë ëndrrat e shpresës së demo-kratëve dhe socialistëve, që kanë abuzuar me besimin e demokratëve, që kanë punuar për katër vite me radhë, për shërbëtorët dhe klientët e një familje kryeministrore”, theksoi më tej Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›