Rama refuzon ftesën e LSI për bashkëpunim para zgjedhjeve: Meta të votojë për PS-në
Aristir Lumezi
Edi Rama refuzon ftesën e LSI-së për të bashkëpunuar, për të fituar mbi Sali Berishën. Kreu socialist u shpreh dje qartë se nuk do të jetë i pranishëm në tryezën e propozuar nga Ilir Meta, për bashkërendimin e opozitës me qëllim fitoren e sigurt ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Këtë kreu socialist e konfirmoi gjatë emisionit “Drejt votës” në “Vizion Plus” me gazetaren Valbona Kurti. “Zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhje jo mes të djathtës dhe të majtës, por mes politikës së vjetër dhe politikës së re. Njerëzit më 28 qershor duhet të zgjedhin mes politikës së vjetër dhe politikës së re, mes alternativave të reja dhe atyre të vjetra. Përsa i përket ftesës së Ilir Metës, unë nuk mund të jem veçse dakord për të larguar Berishën dhe për ta bërë këtë, të gjithë duhet të votojnë Partinë Socialiste. Ilir Meta duhet t’u bëjë apel shqiptarëve dhe të kontribuojë që njerëzit të votojnë për PS, madje edhe ai vetë duhet të votojë PS sepse vetëm kështu mund të ketë bërë kontributin më të mirë për të larguar Sali Berishën”, tha Rama. Gjatë emisionit të djeshëm, kryetari socialist u shpreh se koalicioni që ai drejton do të mundohet të marrë mandate të plota, për të krijuar një qeveri të konsoliduar brenda koalicionit të saj. Takimi i ftuar nga Ilir Meta do të zhvillohet sot në orën 12:00 në hotel “Tirana” me të gjithë personalitetet e së majtës shqiptare. Një javë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, e majta do të hyjë në to me dy koalicione, edhe pse kreu i LSI-së bëri një përpjekje për të bashkuar të gjithë faktorët e majtë në një tryezë, e cila do të bënte bashkërendimin e forcave të majta, për të garantuar fitoren në këto zgjedhje. Ilir Meta u shpreh dy ditë më parë se “thirrja ime i drejtohet Kryetarit të PS-së z.Rama, si kryetari i forcës politike më tradicionale. Së dyti, thirrja ime i drejtohet gjithë personaliteteve dhe figurave të tjera përfaqësuese, institucionale, por edhe tradicionale apo historike”. Por kreu i LSI-së nuk përjashtoi nga kjo ftesë edhe faktorë të rëndësishëm të së majtës. “Natyrisht thirrja ime i drejtohet edhe z.Nano, ashtu siç i drejtohet edhe z.Meidani, që është një figurë shumë e rëndësishme dhe faktorëve të tjerë, se janë faktorë të paneglizueshëm, ndikimi i të cilëve dhe kontributi i të cilëve do të ishte veçse pozitiv për të ecur në një drejtim të përbashkët. Ky drejtim ka për qëllim krijimin e një fryme bashkëpunuese sa më të gjerë, për të mbrojtur procesin zgjedhor. Së dyti, në krijimin e një fryme optimizmi sa më të fortë në elektoratin progresist, në mënyrë që kjo të ndikojë në një fitore sa më bindëse të forcave të majta dhe progresiste, në zgjedhjet e 28 Qershorit dhe në krijimin e një Qeverie sa më të qëndrueshme për të shëruar të gjitha plagët që po lë pas qeveria e Berishës, duke nisur nga agimi i 29 Qershorit”, u shpreh Meta. Por kreu socialist iu përgjigj negativisht kësaj ftese, dhe pse kundërshtarët politikë të së djathtës duken më të konsoliduar në fushatën e tyre për të realizuar maksimalizimin e votave brenda koalicionit të djathtë. E majta del e përçarë dhe me dy koalicione që prej zgjedhjeve për pushtetin vendor në shkurt 2007, kur dhe fitoi bashkitë kryesore të vendit. Pas atyre zgjedhjeve, e majta nuk arriti më të gjejë gjuhën e përbashkët, ndërsa PS dhe PD nisën një bashkëpunim për ndryshimet kushtetuese dhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor.
Nano, enigmë pjesëmarrja në tryezë
Ish-kryetari socialist Fatos Nano nuk dihet ende nëse do të jetë prezent në takimin që Ilir Meta ka lënë sot në mesditë në hotel “Tirana” me të gjithë faktorët e majtë. Ish kreu socialist nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse do ti bashkohet nismës së LSI-së për një bashkërendim të të gjithë kontributeve të majta për të maksimalizuar fitoren e të majtës kundër qeverisjes së Sali Berishës. Nano ka dhënë prezencën e tij pak kohë më parë në media, kur ka kritikuar ashpër Kryeministrin Berisha për një qeverisje plot defekte por dhe mënyrën se si është bërë opozita në këto katër vjet, e veçanërisht mënyra se si u hartua lista e kandidatëve të PS-së në këto zgjedhje.
Luan Rama: S’është vonë për fitoren e së majtës
Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama tha dje se nuk është asnjëherë vonë për t’u bashkuar e majta që të largohet Sali Berisha. “Kjo iniciativë politike ka në thelbin e vet investim institucional dhe parimor të z.Meta, i cili kur na ndajnë vetëm 7 ditë nga zgjedhjet e 28 Qershorit, synon të koordinojë përpjekjet, angazhimin dhe vendosmërinë e gjithë faktorëve të së majtës në funksion të realizimit të fitores së saj, se në fund të fundit kjo do të jetë fitorja e Shqipërisë evropiane”, tha Rama. Sipas Sekretarit të LSI-së, iniciativa e z.Meta për të ftuar në takim të gjithë faktorët politik influentë të së majtës progresiste, është në vazhdën e përpjekjeve konsistente të gjithë investimit politik që kryetari i LSI-së ka bërë dhe vazhdon të bëjë prej kohësh, në funksion të një klime bashkëpunimi dhe koordinimi të të gjithë faktorëve politik të së majtës progresiste, me synimin e vetëm që së pari, të largohet nga pushteti qeverisja e Berishës së Gërdecit, dhe së dyti për fitoren e të majtës progresiste, pasi ky është edhe vullneti i votuesve dhe qytetarëve shqiptarë.
Petro Koçi
Kryetari i PSV’91 Petro Koçi tha dje dialogu ndërsocialist rrit besueshmërinë brenda të majtës. Koçi, i cili do të jetë prezent sot në tryezën e ftuar nga LSI, kërkoi nga PS të reflektojë me urtësi dhe të marrë vendime të qarta. Sipas tij, ky bashkëpunim mes të gjithë socialistëve do të jetë dhe një bazë e mirë për një qeverisje të shëndoshë.
Skënder Gjinushi
Kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi ka mbështetur idenë e bashkimit të së majtës dhe pse e sheh si një ftesë që vjen me vonesë. Por ai është shprehur se nuk do të jetë prezent në këtë tryezë pasi do të jetë i angazhuar me fushatën elektorale jashtë kryeqytetit. PSD është pjesë e koalicionit të majt6ë që drejtohet nga Partia Socialiste.