Kriza ekonomike dhe imuniteti i ekonomisë shqiptare
Ecuria e ekonomisë shqiptare tregon se Shqipëria nuk është prekur nga kriza botërore ekonomike, por nuk mund të themi që ajo nuk ka patur efektet e saj. Duke qenë se një pjesë e mirë e të ardhurave vijnë nga remitancat e emigranteve nga vendet fqinje, vende të cilat janë prekur maksimalisht nga kriza, me të drejtë mund të themi që edhe në ekonominë shqiptare janë ndjere ndikimet e kësaj krize ekonomike, por janë kaluar me mjaft elegancë nga ekonomia shqiptare. Treguesit mikro dhe makroekonomikë tregojnë se vendi ynë, i ka shpëtuar kësaj “furtune” ekonomike, duke treguar një stabilitet ekonomik. Ekonomia shqiptare nuk është në krizë, jo sepse është ekstra komunitare, as sepse është ekonomi e rëndësishme, pasi sot ekonomitë e rëndësishme janë më shumë në krizë, por për faktin e thjeshtë, sepse këtë ekonomi kriza e gjeti si vendin me taksa më të ulëta në Evropë. Qeveria shqiptare implementoi paketën fiskale antikrizë para 2-3 vitesh, duke ndërhyrë tek tatim-fitimi vetëm 10%, tek taksa e sheshtë 10%, tek sigurimet shoqërore 15 %, tek taksa e biznesit të vogël 1.5 %, tarifa doganore e ulur mbi 6 herë etj. Gjithashtu Qeveria, ka rritur më shumë rroga dhe pensione për të rritur fuqinë blerëse, si dhe investimet publike. Ekonomia shqiptare në të gjithë treguesit e saj ka patur një progres. Progres i cili ka ardhur në rritjen e GDP-së, tregues i pakontestueshëm, i publikuar nga institucionet financiare si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Në vitin 2008 rritja ekonomike ishte 7.5 -8 %, shifër kjo e pakontestueshme nga vendet e BE-së dhe institucionet financiare. Për shkak të krizës ekonomike në vitin 2009, Shqipëria në këtë vit nuk kishte rritjen ekonomike të një viti më parë, por rritja ekonomike 3.2%-3.3 %, e rendiste Shqipërinë në vendin e parë në Evropë. Shqipëria, pra futet në grupin e atyre pak vendeve që vazhdojnë të kenë rritje ekonomike pozitive, megjithëse më të ulët se vitet e fundit (2008), por gjithsesi nuk ra në reçesion.
Ndikimi i eksport-importeve në ekonomi/Eksportet shqiptare gati janë 2-3 fishuar gjatë viteve të fundit, si rezultat i zbatimit të politikës së qeverisë për nxitjen e rritjes së prodhimit vendas dhe të cilësisë së tij. Mallrat shqiptare gjatë kësaj periudhe janë destinuar kryesisht drejt vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke qenë në rritje të vazhdueshme, çka dëshmon për zhvillimin e prodhimit ekonomik të vendit dhe të tregut shqiptar. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë dhe në botë që shënon këtë gjashtë mujor rritje me 80 përqind të eksporteve. Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar janë eksportuar 41 miliardë mallra eksporti nga ky vend, ndërsa në gjashtë mujorin e parë të vitit 2010 janë eksportuar 81 miliardë mallra.
Ka patur progres për sa i përket burimeve nëntokësore (hidrokarbure + minerale), eksporteve të produkteve me fason, apo në sektorin e tregtisë, ndërtimit, industrisë së përpunimit, produkteve bujqësore, ushqimore etj.
Energjia elektrike është një tjetër sektor, ku me eksportin e saj ka bërë të mundur rritjen e të ardhurave në vend. Ndërtimi dhe dhënia me koncension i shumë HEC-ve, duke shfrytëzuar të gjitha burimet hidrike në vend, për të dhënë impaktet e saj pozitive.
Ndërsa importet janë mbajtur pothuajse në të njëjtat nivele, duke dhënë impakte mjaft pozitive në ekonomi.
Politika Fiskale dhe ndikimi i saj në efektet e krizës ekonomike/Ndryshimi i normës së tatim-fitimit është një faktor pozitiv në konsolidimin e bizneseve. Nëse ai ishte në vlera 25 %, sot mund të themi që tatim-fitimi i bizneseve është vetëm 10 %, është ndërhyrë tek sigurimet shoqërore 15 %, tek taksa e biznesit të vogël 1.5 %, tarifa doganore e ulur mbi 6 herë etj. çfarë ka sjellë në çlirimin e këtyre bizneseve, duke i bërë që atë kapital të fituar të mos e dërgojnë për të paguar taksa, por për ta rigjeneruar, apo për të shtuar kapitalin e aktivitetit të tyre. Ekonomia shqiptare në kulmin e kësaj rritjeje prej 7.5-8 përqind në vitin 2008 sipas të gjitha statistikave të botës, pati një rritje prej 3-4 përqind në vitin 2009. Nëse në vitin 2004 në gjashtë muajt e parë, u mblodhën 50 miliardë lekë, në gjashtë muajt e parë të vitit 2010 me taksa dhe tatime ky vend ka mbledhur 104 miliardë lekë. Pra ka dyfishim të të ardhurave nga taksat dhe tatimet, në një kohë kur niveli i taksave krahasuar me vitin 2004 është dy herë më i ulët si numër taksash.
Një hap i rëndësishëm që Qeveria ndërmori ishte hapja e QKR-ve. QKR-ja ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë një zgjidhje "one-stop-shop" për regjistrimin e biznesit. QKR shërben si sportel i vetëm për të gjitha llojet e entiteteve të biznesit në mbarë Shqipërinë, për të kryer dhe aplikuar për të gjitha proceset e regjistrimit të biznesit, duke përfshirë regjistrimin e taksave në nivel kombëtar dhe vendor (bashkiak), sigurimin shëndetësor dhe shoqëror, Inspektoratin e Punës dhe Institutin Kombëtar të Statistikave.
Reduktimi i lejeve dhe i licencave. Nga rreth 170 licenca e leje të llojeve të ndryshme që ishin më përpara tashmë kanë mbetur në më pak se 60 prej tyre. Pra me pak fjalë, nëpërmjet krijimit të kësaj qendre është eliminuar një numër i madh lejesh e licencash. E për pasojë janë hequr barrierat burokratike të një numri të pafundmë dokumentash, por edhe të kostove të tyre financiare.
Një tregues tjetër i stabiliteti ekonomik, tregues i mos prekjes së Shqipërisë nga kriza, apo efektet e saj, janë rritja e biznesit të huaj në territorin e Shqipërisë, çfarë do të thotë që kanë gjetur kushte të përshtatshme për të ushtrua aktivitetin e tyre. Kjo si pasojë e politikë bërjes së favorshme për këta investitorë të huaj. Shumë biznese të reja janë regjistruar e kanë filluar funksionimin e tyre gjate kësaj periudhe, po ashtu është vënë re se çdo vit ka patur rritje progresive. Regjistrimi i biznesit të huaj, duke shfrytëzuar QKR dhe QKL e rendisin Shqipërinë në vendin e 10-të.
Krijimi i infrastrukturës së turizmit si, asfaltimi i rrugëve dhe akseve kryesore, kryesisht i atyre që lidhen me zonat turistike. Krijimin e sigurisë, stabilitetit dhe mjaft kushteve të tjera favorizuese ka bërë që të rritet numri i turisteve në Shqipëri, e për pasojë është rritur vlera e valutës që futet në Shqipëri, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në amortizimin e krizës. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë nga janari deri në qershor, i ka kaluar 1 milion prej tyre. Kurse numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën janar-qershor 2009 ka qenë rreth 951495 persona. Periudha janar qershor 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka patur një rritje 10% në krahasim me vitin 2008 dhe me vitin 2005 rritja është afërsisht 2.4 herë më shumë.
Pra me pak fjalë, politika fiskale e ndjekur nga qeveria shihet, si një nga faktorët kryesorë në shmangien e krizës ekonomike në Shqipëri.
Sistemi bankar/Sistemi bankar i shëndetshëm ka qenë arsyeja që Shqipëria ka mundur të përballojë krizën ekonomike. Sistemi bankar i përballoi me sukses ndikimet e krizës ekonomike botërore. Faktet tregojnë se falë politikës qeveritare dhe duke qenë që bankat shqiptare nuk janë pjesëmarrëse në bursat evropiane dhe botërore, kanë bërë që asnjëra nga këto banka të mos ketë probleme falimentimi, e shqiptarët të mos humbasin kursimet e tyre. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2010 depozitat janë rritur me mbi 10 % dhe kredidhënia është rritur me mbi 5 %, tregues pozitivë këto të sistemit bankar. Në vitin 2005 borxhi ishte prej 72 % dhe u bë i mundur zbritja e saj në vitin 2008 në 55%. Kurse në vitin 2009 borxhi u rrit në 59.5 %.
Masat dhe reformat e qeverisë për minimizimin e efekteve të krizës/Faktorë pozitiv është rritja e pagave dhe pensioneve, reformë e kundërt në lidhje me krizën ekonomike, apo duke e krahasuar me vende të tjera të Bashkimit Evropian. Rritjet nga 2-12% mbi një bazë të 2-fishuar të nivelit të pagave në arsim dhe në shëndetësi përbën një kosto që sëbashku me pensionin që kalon 120 milionë dollarë në vit, një ofertë kjo, një masë kjo mëse e konsiderueshme, jo e neglizhueshme për të luftuar varfërinë dhe për të shpresuar një intensifikim të konsumit dhe të kursimeve të shqiptarëve, pasi prek vetëm pjesën e administratës publike. Janë bërë shkurtime në të gjitha shpenzimet e mëdha të administratës, ku hoqën veturat, 19 mijë dollarë kushtonte një shofer, 45 milionë euro u përdorën për rritjen e rrogave dhe pensioneve shqiptarëve. Fondi i pensioneve në vitin 2004, ka qenë në 50 miliard, ndërsa sot është në 109 miliard. Rritja e pagave dhe e pensioneve çoi në amortizimin e efektit të krizës në Shqipëri, sepse shqiptarët qarkulluan të ardhurat e tyre (paga & pensione), duke mos i mbajtur stok likuiditetet e tyre. Shpenzimet operative u ulën nga 220 milion që ishin në vitin 2005, në 70 milion për vitin 2006. Ndërsa në institucionet e tjera shtetërore jo qeveritare, këto shpenzime u shkurtuan vetëm 30-40%, duke mbetur gjithnjë më të larta se në vitet 2001-2002. Ndërsa në ndryshimet e buxhetit të shtetit për 6-mujorin e dytë të vitit 2010", u miratua shkurtimi i shpenzimeve buxhetore me 39 miliardë lekë dhe uljen e mëtejshme të defiçitit buxhetor. Shpenzimet operative për telefona, bileta udhëtimi të klasit të parë, makina luksoze të modës së fundit, arranzhime luksoze zyrash e madje edhe prapazyrash, me rreth 250 mijë dollarë, jo në një, por në disa raste, pritje të pamotivuara, dieta abuzive u shkurtuan nga 45-71% në administratën qeveritare dhe me rreth 30% në të gjitha institucionet e tjera shtetërore. Fonde të liruara nga shkurtimi i shpenzimeve abuzive u përdorën për rritjen e rrogave dhe të pensioneve.
Prokurimi elektronik është një masë tjetër e marrë nga Qeveria shqiptare, ku është viti i dytë që vendi ynë aplikon 100% prokurimin elektronik, duke e renditur në vendin e dytë në Evropë, në një klasifikim që u bë nga organizmat ndërkombëtarë.
Një tjetër sihariq për ne është miratimi i kreditimit të Qeverisë shqiptare me rreth 3.2 miliardë euro kredi për t’i investuar në infrastrukturë. Me marrjen e kësaj kredie do të bëhet e mundur që vendi të pësojë ndryshime të theksuara në infrastrukturën rrugore, ujore, energjetike etj.
Pra të gjitha këto institucione ndërkombëtare financiare tregojnë më së miri që vendi ynë po ecën me ritme të kënaqshme ekonomike dhe ajo që është më e rëndësishme është se tashmë jemi të besueshëm për këto institucione ndërkombëtare. Kjo besueshmëri nuk ka të bëjë me faktin thjesht apriori, por në faktin se Shqipëria ka krijuar burime i ka resurset që në të ardhmen të bëjë likuiditetin e tyre. Pra gjithçka që u përmend më lart, fatmirësisht vërteton më së miri se Shqipëria jo vetëm që nuk është në krizë ekonomike, por ka shmangur më së miri edhe efektet e krizës botërore tek ajo. Kjo na bën që të jemi optimistë se po hedhim hapa të sigurtë në një ekonomi të konsoliduar.
Autori i shkrimit është Kryetar i Bashkisë së Kamzës