Meta: Morëm garancinë, Shqipëria në BE në 2014
Kreu i diplomacisë, deklaroi se për ingetrimin e vendit kishte marrë premtimin e kryeminstrit grek, Papandreu
Pas kthimit nga Turqia, ku u zhvillua takimi i ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore, ministri i jashtëm Ilir Meta, theksoi se ka marrë mbështetjen e vendeve të rajonit, për proceset integruese të Shqipërisë. Gjatë një konference për shtyp, Meta deklaroi se gjatë këtij takimi u diskutua mundësia që Ballkani Perëndimor të jetë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2014. Sipas Metës, një deklaratë e tillë u bë nga kryeministri i sapozgjedhur i Greqisë, Jorgo Papandreu, i cili vuri në dukje se integrimi në BE i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, duhet të përfundojë brenda vitit 2014. Ministri i Jashtëm evidentoi se procesi i zgjerimit të familjes evropiane, nga vendet e Ballkanit, do të hapë një epokë të re për gjithë kontinentin e vjetër, pasi shpeshherë Ballkani ka qenë burim i konflikteve.
"Përfundimi i procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, do të thotë njëkohësisht edhe një epokë e re për të gjithë Evropën, pasi nga ky rajon, jo rrallëherë, janë nxitur konflikte që kanë përfshirë të gjithë kontinentin", - tha dje Meta. Lidhur me marrëdhëniet ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj greke, kur kjo e fundit drejtohet tashmë nga të majtët, Meta u shpreh se pavarësisht kësaj, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nuk do të ndryshojnë. Ato do të mbeten transaperente dhe në një nivel të kënaqshëm. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk përjashton ndonjë acarim mes tyre që mund të nxitet nga qarqe të ndryshme dekonstruktive.
Sipas Metës, kryeministri grek me vizitën e tij në Turqi dha një mesazh mjaft të qartë dhe nxitës për bashkëpunimin midis vendeve të rajonit. Përsa i përket përgatitjeve të Shqipërisë për pyetësorin që ka lëshuar Komisioni Evropian, Meta nënvizoi se do të angazhohen të gjitha kapacitetet në të gjitha fushat, që lidhen me procesin e integrimit evropian të vendit.