Elbasan, përjashtohen nga ndihma ekonomike 832 familje
Prefekti: të pastrohen listat, në të kundërt do të penalizojmë vendorët. Komunat në skemën e ndihmës persona që nuk plotësojnë kriteret
ELBASAN - Prej një viti institucionet lokale me varësi vertikale dhe ato vendore përplasen me njëra-tjetrën mbi funksionimin e skemës së ndihmës ekonomike. Institucioni i Zyrës Rajonale të Shërbimeve Sociale akuzon disa komuna se mbajnë në skemë mbi 832 familje që nuk e meritojnë, pasi nuk plotësojnë kriteret.
Mbi këtë akuzë ka nisur një proces i gjatë, por deri tani pa sukses. Madje, kërkesës që komunat në qarkun e Elbasanit të largojnë nga skema familjet që nuk e meritojnë, vendorët i janë përgjigjur me shtimin e familjeve të tjera.
Përplasja
Pasi janë monitoruar 42 njësi vendore nga Zyra Rajonale e Shërbimeve Sociale në Elbasan ka rezultuar se 832 familje përfitojnë ndihmë ekonomike në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe Ligjin, me një fond prej 15 milionë lekësh të vjetra.
Sipas drejtuesve të Zyrës së Shërbimeve Sociale, njësive vendore dhe kryesisht komunave që kanë shkelur ligjin, u është lënë detyrë që të largojnë nga skema familjet që përfitojnë në mënyrë të padrejtë.
Këtu përfshihen ato që kanë certifikatë pronësie, familje me të ardhurat mbi atë të përcaktuar në skemë, familje me konflikt interesi etj. Ky institucion ka propozuar largimin nga skema të personave që nuk plotësojnë kriteret.
Por këshillat e komunave nuk kanë marrë parasysh asnjë vërejtje, madje kanë bërë të kundërtën, duke e rritur sërish numrin e familjeve dhe duke e shtuar rreth 650 të tilla në skemë qysh nga fillimi i këtij viti. Zyra e Shërbimeve Sociale ka propozuar 7 vërejtje me shkrim, një gjobë dhe ka bllokuar fondin nga Ministria e Financave për komunën Shushicë, Qukës dhe Labinot Fushë.
Prefektura
Ankesa e Zyrës Rajonale të Shërbimeve Sociale ka përfunduar në prefekturë. Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, ka deklaruar se është jonormale që vendorët të mos zbatojnë ligjet, por të udhëhiqen nga preferencat e tyre. "Janë një numër i madh familjesh që përfitojnë pa të drejtë ndihmën ekonomike, ndërkohë që nuk plotësojnë kriteret e ligjit.
Këshillat e komunave vazhdojnë të refuzojnë zbatimin e ligjit, duke marrë vendime që bien ndesh. Kjo situatë është e patolerueshme. Unë iu kërkoj kryetarëve të komunave dhe këshillave të reflektojnë dhe të tregohen të përgjegjshëm në zbatimin e vendimeve dhe të ligjit.
Nëse do të vazhdohet kështu, ne do të marrim masa madje do të propozojmë edhe penalizime. Aktualisht institucioni përkatës ka vepruar në këtë drejtim me disa masa, por siç duket komunat vetë nuk e marrin këtë përgjegjësi duke reaguar pozitivisht. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë".
Prefekti ka komentuar gjithashtu një problem që ka lindur me komunën Bradashesh për largimin nga skema të rreth 60 familjeve. Prefekti tha se në këtë rast është respektuar ligji për një shërbim minimal për komunitetin ku 60 kryefamiljarëve iu është kërkuar të shërbejnë me pak ditë punë në muaj për të marrë ndihmën ekonomike.
Puna kryesore e tyre është pastrimi i mbeturinave, por që s'është pranuar të kryhet nga kryefamiljarët. Ndërkohë, përsa i përket familjeve që përfitojnë jashtë ligjit ndihmën ekonomike, Prefektura Elbasan pritet që t'i propozojë Këshillit të MInistrave masa ndaj vendorëve në rast se këta të fundit nuk zbatojnë shkresat zyrtare në respektim të ligjit.