Rama prezanton këngën e fushatës "Çohu"
Tre djemtë e grupit West Side Family shpjegojnë fabulën e këngës
TIRANË- Kreu socialistë, Edi Rama dhe grupi muzikor West Side Family, ashtu si në zgjedhjet lokale të vitit 2003, do të jenë sërish bashkë në një këngë të re, e cila do të jetë dhe himni shoqërues i fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Suksesi i arritur gjatë bashkëpunimit të parë duket se ka ndikuar jo pak në këtë zgjedhje të Ramës, për ta pasur këtë grup si bashkë-rrugëtar dhe një ogur të mirë në sfidën e ardhshme zgjedhore, me këngën e tyre të titulluar "Çohu", ku natyrisht një kontribut jep dhe vet kryesocialisti.
Si kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend, Rama ka prezantuar dje para medieve në oborrin e selisë rozë, këngën ritmike, teksti i së cilës nuk është gjë tjetër veçse një mesazh drejtuar gjithë shqiptarëve, për tu ndërgjegjësuar dhe për të marrë në dorë, fatet e vendit duke i dhënë jetë ndryshimit nëpërmjet votës së tyre më 28 qershor.
Gjatë prezantimit të saj, tre djemtë e grupit West Side Family pasi shprehën kënaqësinë e tyre për këtë bashkëpunim të dytë me kryesocialistin, kanë shpjeguar dhe fabulën e këngës, e cila, sipas tyre, bën fjalë pikërisht për politikën e vjetër dhe nevojën për të përqafuar politikën e ndryshimit, që ata janë shprehur se përfaqësohet prej Edi Ramës.
"Kënga flet për politikën e vjetër, plakë, të sëmurë, që na ka lënë pas dore dhe fakti më i habitshëm është çështja e vizave, që të gjithë po hyjnë, vetëm ne po stërzgjatemi, po stërzgjatemi.
Është momenti për t'i thënë boll kësaj politike, është momenti për t'i thënë boll pavarësisht i majtë apo i djathtë, të gjithë shqiptarët duhet të votojnë ndryshimin, të gjithë shqiptarët duhet të votojnë Edi Ramën", - tha Landi, njëri prej tre këngëtarëve gjatë ceremonisë prezantuese të këngës.
Ndërkohë që vet Rama pasi ka falënderuar këngëtarët për bashkëpunimin ka theksuar se produkti i arritur "është një këngë e cila është pjesë e asaj fryme që tanimë ne e ndiejmë dhe e përçojmë njëkohësisht në të gjithë Shqipërinë, frymën e ndryshimit dhe vijmë për t'u çuar".
Kënga nis me mesazhin, që jep vet kryesocialisti Edi Rama ku shpreh nevojën që ka Shqipëria për të ndryshuar si dhe besimin, që ka ai vet si lideri i partisë më të madhe të opozitës për të udhëhequr shqiptarët në këtë mision.
Teksti
Hyrja e Ramës
Unë do ta fitoj këtë garë,
kam shpresë sepse besoj tek Shqipëria,
besoj tek talenti dhe forca e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi,
besoj tek një atdhe të cilit zoti i ka dhënë gjithçka i duhet për të qenë i begat,
dhe unë besoj se asgjë nuk është e pamundur në rast se ne jemi të gjithë sëbashku
Çohu minator, çohu malësor
Është koha të vendosësh
Ti e ke në dorë
Çohu shqiptar të vendosësh ti
Përtej të gjitha gjerave ka vetëm një Shqipëri
Refreni
Jemi ne, sot e ardhmja jemi ne
Vetëm ti në dorë e ke
Ti mos rri por çohu, çohu
Jemi ne, sot ndryshimi jemi ne
Për të ardhmen ditë e re
Ti mos rri por çohu, çohu
Kryesocialisti Rama do të hapë fushatën, aty ku nisi rruga e ndryshimit
Zgjedhjet, Rama hap
fushatën në Qytetin Studenti
TIRANË- Qyteti Studenti, vendi ku nisi rruga e ndryshimit të madh të viteve 90' do të jetë dhe pikënisja e rrugëtimit të socialistëve në kërkim të realizimit të misionit, që ata i kanë vënë vetes për të ndryshuar Shqipërinë.
Bëhet fjalë për fillimin e fushatës elektorale, të cilën socialistët, jo pa qëllim kanë vendosur ta hapin zyrtarisht në qytetin e dijes, ku 18 vjet më parë mori udhë demokracia shqiptare.
Në orën 18 e 30 të ditës së nesërme socialistët pritet të hapin zyrtarisht fushatën elektorale nga QS, ku pritet të mbajnë një takim i cili sipas organizatorëve pritet të jetë masiv.
Megjithëse detajet e këtij takimi hapës të fushatës nuk bëhen të ditura, mësohet vetëm se ai do të zhvillohet në fushat sportive të Qytetit Studenti dhe përveç fjalës së kryetarit Rama, pritet të prezantohen nominalisht të gjitha kandidatët për deputetë.
Bëhet e ditur gjithashtu se organizatorët dhe drejtuesit e selisë rozë kanë vendosur që në këtë hapje fushate të jenë të pranishëm dhe aleatët e kësaj partie, pra të mos jetë vetëm PS, por edhe të gjitha partitë përbërëse të koalicionit "Bashkë për Ndryshim". Hapja e këtij takimi, ashtu siç edhe ka premtuar dje Rama do të bëhet me këngën e re "Çohu" një pjesë e së cilës është prezantuar dje.