E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Ndoka po përpiqen

LSI-ja e PDK-ja, por edhe partitë e tjera që e kundërshtojnë Kodin e ri Zgjedhor, ende nuk kanë një projekt për të dalë së bashku në zgjedhje

Lëvizja Socialiste për Integrim në opozitë dhe Partia Demokristiane, e renditur në koalicionin qeveritar të pas 3 korrikut 2005, nuk janë asgjëkund me hartimin e ndonjë projekti konkret bashkëpunimi që do të nxisë arritjen e rezultateve pozitive në zgjedhjet e ardhshme. Të dy forcat që organizuan për herë të parë një grevë urie deputetësh, nuk ia kanë nisur ende punës për hartimin e projektit, ashtu sikurse bënë kur ndërmorën mjetin e fundit demokratik, grevën e urisë, me dhjetë deputetë për tetë ditë me radhë në sallën e seancave plenare të Kuvendit.

Pavarësisht se i kaluan ato tetë ditë në grevë urie e janë të bashkuar në qëndrimin e tyre kundër Kodit të ri Zgjedhor, tani për tani Lëvizja Socialiste për Integrim e ish-kryeministrit Ilir Meta dhe Partia Demokristiane e ish-ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, ende nuk kanë një projekt konkret për të dalë së bashku në zgjedhje. Bashkëpunimi elektoral në vitin 2009 duket ende i largët, ndonëse mundësia që kjo të realizohet nuk hidhet poshtë. “Është ende herë për të folur për zgjedhjet e 2009-ës, por aktualisht do të jemi bashkë në një front kundër Kodit të ri Zgjedhor. Me miratimin e djeshëm, Kuvendi Shqiptar ka bërë hapa mbrapa. Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar atë çka ndodhi dje. Ne do të bashkëpunojmë me çdo forcë politike që do të jetë kundër dy partive të mëdha”, - i tha “Korrierit” Nard Ndoka, i pyetur lidhur me mundësinë e bashkëpunimit të të dyja partive në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Demokristianët, LSI-ja e PBDNJ-ja hodhën në fundvitin e 2006-ës idenë e krijimit të një “poli të tretë” në politikën shqiptare, por që atëherë nuk ka asnjë gjë konkrete në këtë drejtim. Aktualisht këto parti, së bashku me PAD-në e PDS-në, por edhe parti joparlamentare si LZHK-ja, kundërshtojnë Kodin e ri Zgjedhor, por ende nuk po hedhin hapa drejt forcimit të lidhjeve mes tyre, deri në daljen në zgjedhjet e ardhshme si një koalicion i përbashkët. “Nuk di të ketë ende një përpjekje të tillë. Nuk dihet akoma as se sa koalicione do të jenë. Akoma s’ka një projekt të tillë para aleancës”, - i tha “Korrierit” kreu i PAD-së, Neritan Ceka. Nënkryetari i Kuvendit shtoi se për momentin aleancistët nuk kanë asnjë projekt konkret, për të cilin duhet të vendosin. Ai tha se votoi kundër Kodit të ri Zgjedhor, sepse administrimi i votës bazohet tek mosbesimi. “PAD-ja e dha votën kundër kodit për këtë arsye, dhe jo për ndonjë problem tjetër. Pas miratimit të këtij kodi do të hapet seria e negociatave për aleancat e ardhshme. Ky do të jetë kodi i zgjedhjeve të ardhshme, me ndonjë modifikim të mundshëm”, - u shpreh Ceka. Presidenti i PAD-së ende beson se në kodin që u miratua ditën e martë mund të ndryshojë diçka. Të njëjtin qëndrim ka edhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka. Sipas tij, kundërshtitë dhe përpjekjet për të ndryshuar Kodin e miratuar Zgjedhor do të vijojnë. Ai sqaroi se demokristianët do të mbështeten tek rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, për të cilat kreu i OSBE-së, Robert Bosh, siç tha Ndoka, u shpreh shumë qartë. Kohezioni në qëndrimet politike lidhur me Kodin e ri Zgjedhor ekziston mes PDK-së, LSI-së dhe disa partive të tjera, por për momentin vetëm kaq. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›