E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen gazi, vdes inxhinieri



FIER/ MAJLINDA RAMA

Shpërthimi i gazit nga pusi i ndalur prej 5 vitesh i merr jetën inxhinierit të “Albpetrolit”. Specialisti i avari-shpëtimit, Dhimo Gjeçi, 50 vjeç, u asfiksua pas presionit të fontanës, në sipërfaqe të pusit. Ngjarja e rëndë ndodhi në pusin e fondit të ndalur, “Bubullima 14”, në fshatin Verri të Komunës Mbrostar të Fierit. Bashkë me specialistë të tjerë, Gjeçi kishte mbërritur në këtë zonë për të riparuar një defekt që ishte konstatuar ditët e fundit. Ndonëse prej vitesh pusi ishte ndërprerë për shkak të shterimit të burimeve dhe ishte izoluar hermetikisht, në sipërfaqe të tij ishin pikasur shpërthime të zbehta të gazit, çka detyroi specialistët të ndërhynin për të riparuar defektin. Mëngjesin e djeshëm ata kanë nisur punën, por ajo është ndërprerë tragjikisht. Dëshmitarët thanë se inxhinieri Gjeçi kishte më shumë se dy orë që punonte pranë fontanës për të mbyllur një çarje të tubit, së bashku me kolegë të tjerë të brigadës, por ndërhyrja ka rezultuar fatale. I ndodhur përballë presionit të gazit dhe shpejtësisë me të cilën ai ka dalë në sipërfaqe, inxhinieri nuk ka mundur dot të largohet nga fontana dhe është asfiksuar deri në vdekje, edhe pse ka qenë i pajisur me maskën përkatëse. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje janë lajmëruar edhe mjekë të ndërhyrjes së shpejtë si dhe specialistë të zjarrfikëses, për të evituar ndonjë shkëndijë të mundshme zjarri. Inxhinieri Gjeçi është shoqëruar me mjetet e ndërmarrjes “Albpetrol” pranë spitalit të Fierit, por një lëvizje e tillë ka rezultuar e kotë, pasi ai kishte ndërruar jetë. Hetimet e para tregojnë për një asfiksi nga gazi. Mësohet se tre shokët që ndodheshin me viktimën kanë pasur probleme të lehta të frymëmarrjes, por jo probleme serioze. Kjo ngjarje ka çuar pranë zonës jo vetëm specialistë të avarive, por edhe grupin e ekspertëve të policisë. Veprimi i parë që kanë bërë ishte rrethimi i zonës në një distancë prej 150 metrash, për të shmangur afrimin e banorëve pranë pusit, i cili gjatë të gjithë ditës lëshonte gaz dhe përbën rrezik për jetën e tyre. Pusi “Bubullima 14” është pjesë e sektorit Kallm-Verri, larg zonës së banuar. Dyshohet se aktivizimi i shtresave të nëndheshme të gazit ka provokuar edhe çarjen e tubave dhe shpërthimin në sipërfaqe.

Drejtori i sektorit: Zona, e izoluar
Drejtori i sektorit, Mihal Kasaj, thotë se qëllimi i brigadës së avari-shpëtimit ka qenë pikërisht eliminimi i defekteve të konstatuara dhe rihermetizimi i pusit. Por, pas shpërthimit të djeshëm, veprimet janë bllokuar për të ndërhyrë në një moment të dytë. “Momentalisht po merren masat e nevojshme për të bërë kompletimin e grykës së pusit. Na thanë se gjatë punës ndodhi një situatë e pakëndshme, derisa morëm vesh se çfarë kishte ndodhur realisht. Kemi marrë masa që ta izolojmë zonën. Do ta organizojmë punën me një shërbim 24-orësh si dhe kemi vendosur tabela paralajmëruese përreth kësaj zone që të mos përsëriten ngjarje të tilla”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›