E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë, reportazh nga TV-ja

Ylli Dylgjeri

Dita e 8-të e urisë Kaloi mundimshëm edhe dita e 8-të në grevën e urisë të Partisë Socialiste Sërish greva vazhdon mu në pragun e derës së Kryeministrisë. është një ritual i vjetër indian ky që po ndodh sot në qendër të Tiranës. çadra dhe 200 grevistë urie janë bashkë në zemër të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Natyrisht, ata që janë të uritur janë të uritur - thotë miku im Ladi. Filania, që se përballoi dot grevën, fillimisht doli dhimbshëm nga çadra dhe… çuditërisht hyri përsëri më vonë si mjeke. Grevistët herë shfaqen si grevistë, herë si doktorë dhe herë si negociatorë të Brukselit. Të tjerët, të lodhur rrinë shtrirë ose japin intervista për shtyp, apo me lidhje direkte në TV. Aneroksia po bën punën e vet. Të raskapitur nën agjërim, presin vendimin politik për hapjen e kutive zgjedhore të 28 qershorit të shkuar!
Mjekësia thotë se gjatë tri ditëve të para, trupi ushqehet nga glukoza. Pas 3 ditëve fillojnë shenjat e këputjes, dhimbje mesi, kyçesh, dhe më pas, sipas të intervistuarve, është organi i mëlçisë ai që merr përgjegjësi më të mëdha për përballimin e gjendjes fizike, sigurisht pa harruar edhe përgjegjësitë e doktor Zabitit e të tjerë mjekëve, vullnetarë e specialistë popullorë që gjenden përherë, kur ka dhimbje të tilla. E megjithatë, kryetari i tyre Edi Rama, nuk po merr akoma asnjë përgjegjësi. është fakt se greva e urisë shton më shumë përgjegjësitë mbi shpatullat e zotit Rama, përgjegjësitë për të garantuar mirëqënie dhe shëndetin e njerëzve që protestojnë para Kryeministrisë. Rama ka thënë në një media se, në ditët që vijnë, edhe ai do ta vërë trupin në çadër. Ndërkohë që kryekomisionieri evropian për zgjerim z. Fyle, duke folur nga Brukseli, i ka kërkuar Ramës që, si politikan, të vërë në dispozicion të çadrës së grevistëve mundësisht mendjen, dhe se do të mbajë përgjegjësi edhe për shëndetin e grevistëve. Kaq për datën 7 maj 2010.
Tani, pak histori për ju grevistë të urisë, nga enciklopedia prestigjioze Wikipedia. (të më falni, në çadër nuk më lejohet të hyj dhe nuk shoh kompjuterë mes jush)
Historia e hershme e urisë
Në Indi, praktika e një proteste urie ku agjëron një protestues në derën e një pale që e ka ofenduar (zakonisht e një debitori për një thirrje publike për drejtësi) është shfuqizuar nga Qeveria indiane në 1861. Kjo tregon përhapjen e praktikës para asaj date, ose të paktën në ndërgjegjësinë e publikut për të. Greva ishte detajuar në kodet bashkëkohore qytetare dhe ka rregulla të veçanta, me të cilat mund të përdoret. Si praktikë e lashtë indiane, daton në rreth 400-750 vjet para Krishtit. Agjëruesit e ndërmarrin kryesisht këtë veprim për të mbuluar borxhet ose për t’i marrë drejtësisë një gabim të perceptuar. Në vëllimin e dytë të një kënge të vjetër indiane, me emrin Ramayana, e poetit popullor Valmiki, flitet për personazhin Bharata, i cili shkoi t’i kërkonte të mërguarit Rama që të kthehet e të sundojë serish mbretërinë. Pas shumë mundimesh, Bharata nuk arrin dot ta bindë dhe vendos për të bërë grevë urie duke u shtrirë përballë Ramës. Por, Rama indian e bind që kjo grevë s’ka kuptim dhe fiton mbi grevistin Bharata. (informacion marrë nga Wikipedia http://en.wikipedia.org/wiki/Hunger_strike )
Informacion sipas mjekësisë
Në 3 ditët e para të grevës së urisë, trupi është ende duke përdorur energjinë nga glukoza. Pas kësaj, mëlçia fillon të përpunojë yndyrën e trupit në një proces të quajtur ketosis. Pas 3 javësh, organizmi hyn në startin e urisë. Në këtë pikë, trupit fillojnë t’i dobësohen muskujt dhe organet vitale dhe si pasojë e humbjes së palcës kemi dobësimin e eshtrave. Kjo kohë bëhet kërcënuese për jetën. Ka shembuj të grevistëve të urisë në botë që vdesin pas 52-74 ditësh në grevë.
Informacion sipas meje
Si qytetar dhe publicist, ndjehem i obliguar t’i shkruaj këto radhë edhe për një qëllim: Së pari, në funksion të të drejtave të njeriut, të së drejtës së informimit publik për ditët që kaluan dhe ato që do të vinë më pas. Kjo edhe për faktin se si media, ashtu dhe në njoftimet që vijnë nga selia e PS, nuk më bindin se në dispozicion të grevistëve të urisë është vënë informacion i bollshëm dhe transparent, për pasojat shëndetësore të grevës së urisë dhe historikun e lashtësisë së saj.

Informacion flash
Morali dhe numri i grevistëve në çadër mbetet po ai: i lartë dhe i pa ndryshueshëm. Kauzës thuhet se do i shkohet deri në fund. Edi Rama akoma nuk po e vë trupin në çadër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›