E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Modeli i dhomave të votimit, si ai i zgjedhjeve vendoreve 2007

Komisioni Qendror i zgjedhjeve në mënyrë intensive po përmbyll gjithë procedurat për organizimin sipas standardeve të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në mbledhjen e djeshme KQZ vendosi që modeli i dhomave të fshehta për votimet parlamentare të 28 qershorit 2009 do të jetë si ai i zgjedhjeve vendore 2007. Çështje tjetër që u diskutua në mbledhjen e djeshme të KQZ-së ishte modeli i zarfeve të sigurisë që do të përdoren në këto zgjedhje, i cili u la për diskutim të mëtejshëm. Arsyen pse u la që modeli i zarfeve të jetë ai i zgjedhjeve vendore të 2007-ës e shpjegoi nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila argumentoi se, “u miratua në parim që në zgjedhjet e 28 qershorit të përdoren në qendrat e votimit ai model që është përdorur në zgjedhjet vendore 2007, pasi ka rezultuar se është komod për zgjedhësit dhe siguron fshehtësinë e votës”. Modeli i dhomës së votimit që do të përdoret në parlamentaret e 2009-ës do të përbëhet nga dy pjesë kryesore prej kartoni. Pjesa mbështetëse me përmasa 105 cm lartësi, 54 cm x 40 cm, përmasa syprinë dhe pjesa e fshehtë. Këto përmasa i sigurojnë votuesit një votim komod dhe të sigurt. Modeli i kësaj dhome të fshehtë është përdorur dhe përdoret në shumë vende dhe ka rezultuar si një nga modelet më të përshtatshme për kryerjen e procesit të votimit. Në të njëjtën kohë është menduar dhe për personat me aftësi të kufizuar, për të cilët nënkryetarja Subashi shpjegoi se, “për sa u përket personave me aftësi të kufizuar do të përdoret një tip dhome e fshehtë e posaçme, me përmasa 80 cm lartësi dhe 60 cm x 50 cm syprinë, plus pjesën e fshehtë, e cila ndihmon shumë këtë pjesë të shoqërisë në përmbushjen e të drejtës për të votuar”. 

Edhe pse çështja e sigurisë u diskutua në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, pritet që ajo të rishqyrtohet më me hollësi në mbledhjen e ardhshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›