Meta: Nuk dalim nga salla e Kuvendit pa zgjedhje të ndershme
Ish-kryeministri Ilir Meta në një intervistë dhënë për “Ora News”, deklaroi se deputetët nuk do të dalin nga greva gjersa të realizohet e drejta e tyre. “Pavarësisht nga vështirësitë, të cilat janë bërë herë pas here të ditura edhe për opinionin publik, pavarësisht edhe të shqetësimit të ndonjë kolegu deputet, morali është shumë i lartë i të gjithë deputetëve në grevë të urisë. Vendosmëria është e jashtëzakonshme për të shpëtuar Shqipërinë nga një kastë që kërkon t’i mohojë shqiptarëve edhe të drejtën më themelore, atë të votimit të lirë në zgjedhje”, deklaroi Meta. Lideri i LSI-së u shpreh i vendosur për të vazhduar protestën për parandalimin e ndonjë skenari që shkon në dëm të demokracisë në Shqipëri. “As nuk ka diskutim. Ne jemi në krye të detyrës, ne jemi në gjendje të jashtëzakonshme, që nga momenti që kemi hyrë në grevë, sepse Shqipëria është në një rrezik të jashtëzakonshëm dhe ne si deputetë detyra na ka kërkuar të jemi në krye të parandalimit të skenarit të dhunshëm për të vjedhur votat e shqiptarëve”, tha Meta.Ndërsa ka bërë apel ndaj dy policive që të mos provokojnë dhe të marrin masa për bllokimin e grevës. “E di që policia e Berishës dhe Policia Bashkiake e Ramës janë në gatishmëri dhe po bashkëpunojnë për të provokuar, por duhet ta kenë parasysh që të dy, që para popullit shqiptar nuk do të ketë asnjë polici dhe asnjë forcë që synon të provokojë dhe të legjitimojë shkatërrimin e demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Kjo gjë ka mbaruar, këtë gjë duhet ta dinë shumë mirë”, theksoi ish-kryeministri. Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve kanë reaguar dhe deputetët e Kuvendit, duke u shprehur se “janë në mbrojtje të votës së lirë, që përsëri rrezikohet të dhunohet nga grabitësit e njëjtë, nga të njëjtët njerëz dhe të njëjtat parti që kanë dhunuar sistematikisht zgjedhjet në Shqipëri, në 17 vitet e tranzicionit”. “Jemi të vendosur të mos dalim nga salla e Kuvendit, në mënyrë që nga kjo sallë të mos kalojë një ligj zgjedhor për interesa të ngushta dhe vetëm të dy partive, por vetëm një ligj zgjedhor që garanton gjithëpërfshirje dhe zgjedhje të ndershme”, thuhet në deklaratën për shtyp.