E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, gati për seancë në Kuvend

 

BLEDAR HOTI

PD dhe PS bashkohen kundër grevës së nisur nga 10 deputetë të Kuvendit. Ky qëndrim është mbajtur nga ana e përfaqësuesve të socialistëve dhe demokratëve në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Sipas burimeve mësohet se deputetët demokratë dhe socialistë janë njoftuar që të jenë të gatshëm për zhvillimin e seancës parlamentare. Socialistët Leskaj, Bufi të pranishëm në mbledhje, mësohet se janë shprehur për bllokim të punës së Kuvendit. Ata i janë bashkangjitur për herë të parë qëndrimit të mbajtur nga demokratët dhe pse i përkasin dy kampeve të ndryshme. Konferenca e Kryetarëve i kërkoi dje 10 deputetëve që të lirojnë sallën e Kuvendit për të zhvilluar seancën parlamentare. Ky ka qenë apeli i lëshuar nga maxhoranca përfaqësuese në Konferencën e Kryetarëve për grevën e urisë së zhvilluar nga 10 deputetët e LSI, PDK dhe “PS ‘91". Ky ka qenë apeli i lëshuar nga Konferenca e Kryetarëve që është zhvilluar dje paradite në lidhje me situatën e gjendur me grevën e urisë së 10 deputetëve. Në njoftim për median, Kuvendi bën të ditur se “Konferenca shprehu shqetësimin për faktin që grevistët po e zhvillojnë grevën në kushte të papranueshme edhe për shëndetin e tyre, ndaj i fton ata t’i bëjnë thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë së tyre politike”. Sipas kryetares së Kuvendit, Topalli ka ende afat për të negociuar dhe pse nuk ka një sinjal për diskutime konkrete. “Për këtë arsye, Konferenca e Kryetarëve u shpreh se duhet të kërkohen mjedise të tjera të përshtatshme. Konferenca vlerësoi se Parlamenti është institucioni kryesor i kryerjes së reformave dhe se ai është vendi i vetëm i diskutimit dhe i debatit politik. Procesi është ende i hapur në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore”, thuhet në njoftimin për median. Gjithashtu bëhet e ditur se kryetarët e grupeve parlamentare vërejtën se, në procesin e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat politike dhe se deri tani të gjithë hapat e reformës elektorale janë arritur me konsensusin më të madh të mundshëm. Por procesi nuk mund të pengohet nga askush. “Konferenca e Kryetarëve vlerësoi gjithashtu se greva e urisë është një mjet i njohur i sensibilizimit publik, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik. Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e Parlamentit është i papranueshëm, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Përfaqësues të PS-së dhe PD-së në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve kanë shprehur mendimin se grevistët duhet të nxirren jashtë nga vendi ku janë ngujuar. Demokratët në kë të konferencë kanë cilësuar si të domosdoshme zhvillimin e seancës parlamentare ku kërkohet të miratohet Kodi zgjedhor. Ata kanë propozuar që greva e urisë të zhvillohet në një vend tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›