E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i mirë me shokë shumë!

Blendi Gonxhe 

Nuk e besoj dot këtë që po ngjet në Parlament. Bashkimi i votës për ndryshim bëhet në Tiranë, jo në Shishtavec. Si do bashkohen zemrat në fshat, kur në kryeqytet “heretikët” lyhen me benzinë? Si mund t’i bëhet ky by-pass LSI-së që sot është forcë e tretë politike! Edhe sikur e gjithë LSI, mijëra njerëz së bashku, edhe PAD edhe PDK, PS ’91 etj., etj., e bashkë me ta edhe deputetë të tjerë të pavarur, plot personalitete, të kishin lojtur mendsh të gjithë (jo më që kërkojnë një të drejtë minimale) – Edi Rama duhej menjëherë të dilte e t’u ofronte atë që kërkojnë, se kjo do ta ngrinte lart Edin në sytë e të majtëve e sidomos në sytë e të lëkundurve, të cilët çdo orë e shkëputjes së Edit, nga parimet themelore i largon larg e më larg subjektit të tij! E kush më shumë sesa Edi (të cilit i ikën një grupim socialistësh tradicionalë për të themeluar PS ’91 e që synon fitore edhe pa LSI-në) ka nevojë për votat e të lëkundurve? Dukshëm shumë media po censurojnë grevën e 11 deputetëve, ndaj, edhe sikur të mos kishte lidhje me këtë, Edi Rama duhet t’i telefononte çdo sekondë të gjithë shtypit dhe medias që ta pasqyronin pa asnjë censurë aktin e protestuesve, kolegëve të tij, sepse kjo do ta lartësonte para popullit!
Kjo do ta dallonte Edi Ramën nga politika e vjetër.
Kush tjetër përveç Ramës nuk e kupton që kjo që po ndodh dëmton direkt Partinë Socialiste? Kush nuk e kupton se çdo orë heshtje e indiferencë e PS-së ndaj protestës çon ujë vetëm tek mulliri i Saliut? Kush e këshillon kaq keq Ramën? Ku janë mendimtarët e PS-së? Ku janë GOTHA-t e PS-së? Se këta s’po duken as nëpër fshatra e as në kryeqytet! Si ka mundësi që fjalimet e tour-et solitare ftojnë njerëzinë drejt bashkimit, përtej së majtës e së djathtës, pro marrëveshjes, dialogut, urtësisë, kur me parimin “bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”, mu në mes të Tiranës injorohen pikërisht këto teza? Kush ia do të keqen Edit kaq shumë saqë heziton ta ndukë nga mënga e t’i thotë: - çdo paralelizëm me famën dhe bëmat e Saliut të shemb themelin!
Ose t’i thonë: - Po ja mo Edi, tamam këta që protestojnë sot janë përtej së majtës e së djathtës, bashkohemi me ta dhe u kry! Apo mos duhet edhe t’i shpallim armiq, tradhtarë të popullit këta që janë në mes të së majtës e të së djathtës? T’i internojmë? T’i provokojmë të humbin çdo logjikë a mundësi marrëveshjeje të urtë? Apo do t’u bëjmë gjyqin gju më gju me popullin, zgëqeve të Shqipërisë e i lajmë duart me ta, me miqtë e me farefiset e tyre? Pastaj grisim dhe fotot ku kemi dalë me ta në çdo fitore deri sot, në 2000, 2003, 2007.....?!
Edhe sikur Zoti, Orakujt t’i kenë folur në ëndërr Partisë Socialiste se e ka të sigurt fitoren edhe pa LSI-në, prapëseprapë asaj nuk i intereson kjo armiqësi! Kjo figurë që po bën! Por fakti që tentohet ky by-pass tregon qartë se Orakujt parashikojnë të kundërtën. Ndaj po sulmohet me hile çdo hapësirë e lirë politike që nuk i përket PS-së dhe PD-së, e këtu demokracia është shkelur në kallo! Ky stil shkakton alergji. Kjo alergji po e dëmton popullaritetin e Edi Ramës shumë më tepër sesa thjesht 4-5 partitë që ai injoron, popullariteti i të cilave, falë këtij stili, po rritet! 
E kujt i hyjnë në punë pastaj artificat, gjysmëgotat, frazat e ndonjë nëpunësi të lodhur të zyrave të ndërkombëtarëve që mezi pret t’i vijë transferimi për diku gjetkë, apo justificat e ndonjë specialisti jurist axhami që as e ka idenë e zjarrit me të cilin loz?
Me 1 fjalë, në 1 sekondë, me një buzëqeshje, Edi Rama dhe Partia Socialiste po të duan i japin fund kësaj krize! Nuk humbin asgjë, por vetëm fitojnë!
Ky është ndryshimi i parë që shqiptarët presin nga Edi t’u japë. Liderin luajal. Ky është testi i tolerancës dhe principeve të tij! Dhe ku ma gjen të të vijnë raste të tilla për të provuar se kush je! Kjo neutralizon dhjetëra debate televizive të humbura nga PS-ja. Ky është gjesti që Edin do ta zhvishte nga çdo akuzë e njollë, që çdo minutë që kalon, minojnë Kauzën e tij, e cila rrezikon të bëhet një përpjekje HIPOKRITE dhe HUMBESE!
A duhet të ndryshojmë politikën? Jepjani pra këtë shans njerëzve, të korrigjojnë me votën e lirë politikën! Ama ta korrigjojnë ata!
Nëse duhet reformuar sistemi, fare ok, të hidhet në referendum popullor, ta vendosë sovrani se si zhvillohet gara e pastaj të bien rehat të gjithë.
Sot për sot, rregullat e pakontestueshme, transparenca në administrim, besimi tek zgjedhjet janë garancia nr. 1 e së majtës që shqiptarët ta besojnë procesin dhe të rritet pjesëmarrja në zgjedhje, çka do rriste shanset për mandatin e ndryshimit në 2009!
Çdo “garanci” tjetër, jo-demokratike, e bën PS-në “mia facia - mia raca” me këta që kemi në pushtet!    
Eshtë e drejta e PS-së të HUMBË... TRYING (në përpjekje), por të paktën pa na shkatërruar edhe atë demokraci që këto 18 vite me zor kemi arritur!
Sikurse është e drejta e të majtëve që t’i kenë sytë ende nga Edi Rama, të shqetësuar, në pritje të bashkimit drejt FITORES! 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›