E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjerimi i sotshëm i demokracisë

Artur Zheji 

I.
Në të vërtetë Shqipëria ka pasur gjithmonë një demokraci inperfekte.
Ky është me sa duket një kufizim i pandreqshëm që do të shkaktojë dhimbje dhe varfëri për shumë kohë akoma në këtë vend.
Kërcënimi i përhershëm është prirja e sëmurë dhe makutëria e grumbullimit në një ose dy duar të të gjitha pushteteve dhe mundësisht të të gjitha parave që mund të shtrydhet nga cica e drobitur e këtij vendi të martirizuar që thirret ende Shqipëri.
Sepse nuk ka se si shpjegohet ndryshe, që sot jetojmë nën një ankth të ri.
Kuvendi është shndërruar në një kullë ngujimi, ku një grup deputetësh kanë shpallur dhe po bëjnë grevë urie për një të drejtë elementare, por njëkohësisht thelbësore, garantimi i votës së shqiptarëve nga orekset e ca të tjerëve, me sa duket anëtarë të Partisë së madhe të të Pangopurve.
Jemi në vitin 2008 dhe si shefat e Partisë të të Pangopurve, tanimë janë identifikuar dy personazhe: Sali Berisha dhe Edi Rama.
Këta dy zotërinj, “Korab i pavdekshëm” njëri dhe “yll ndriçues” tjetri, kanë rithemeluar de facto një parti të vetme, me një qëllim të vetëm dhe me një strategji të koordinuar.
Tanimë shqiptarët, duan s’duan po i lidhin gjithmonë e më shpesh këto dy emra në një nyje të vetme, si liderë të një partie të vetme, që synon ndarjen si byrek të Shqipërisë në dy pjesë dhe me dy gjysmë mbretër.
Njëri, Saliu, ish-komunist dhe gjëmëmbjellës i regjur, personifikim i kahershëm i fatkeqësive kombëtare dhe tjetri, Edi, më i ri, mikroborgjez, i ngritur rreng pas rrengu në një karrierë vertikale marramendëse (dhe kandidat për llupje me kafshata të mëdha të gjysmëbyrekut që nuk ha dot Saliu).
E pra, filozofia e tyre, i kërkoj ndjesë filozofisë për krahasimin, përmblidhet banalisht në dy gjysma byreku, në një tepsi dhe në një popull që duhet të gatuajë për ta si skllav tërë jetën. Këtij populli pastaj i jepet hera-herës dhe gratis një shfaqje kukullash dhe skeçe humoristike, me zënka dhe grindje, që thirret: ‘Shqipëria po ndryshon’ ose ‘Dialog me Shqipërinë’.
Nëse dikush tek lexon këto radhë rrudh supet apo vetullat, pasiqë mund t’i duket një arsyetim tejet i mbushur me byrek apo tejet jo intelektualist, unë kam për borxh të theksoj se di, por nuk mund të shkruaj ndryshe për këtë temë, mjerisht kaq të lartë, por dhe kaq të keqkatandisur.
Sepse një neveri e madhe ngre krye, tek mendoj këtë paçavure që këta dy byrek-ndarës dhe byrek-ngrënës kanë gatuar dhe po gatuajnë për të gjithë ne.
Sepse të konsideruarit e pushtetit si kamxhik dhe të Shqipërisë si çiflig, janë tanimë ajo ç’ka deduktohet nga të bërët e tyre.
II.
Sepse një pështjellim i brendshëm nuk më lejon të përdor për ata fjalë të tjera apo koncepte të tjera më të fisme, sepse, ajme sa keq, asgjë të fisme nuk vërehet në të bërët e tyre.
Saliu kërkon të zhbëjë si gjithmonë çdo zë ndryshe në domenin e vet, të mbiquajtur të djathtë, dhe befas edhe Edi, gjithmonë e më simetrik me atin e tij të ri shpirtëror, Saliun, kërkon të zhbëjë çdo mik e shok, çdo konkurrent dhe çdo protagonist në domenin e majtë, që tanimë e pretendon si të vetin.
Kaq i thjeshtë është skeleti i çështjes, të tjerat janë thjesht mjete, bojatisje, lajlelule, gjethe fiku, apo fjalë të qepura me spango fjalimesh nxjerrë nga interneti.
Edhe kodi i ri elektoral, që pret të dalë nga strofkulla, këto njolla të ndyra ka: është një thikë që kërkon të vrasë shokë e miq, aleatë, tanimë konkurrentë, është pra një kod vrasës, kod hajdutësh, dhe në fund si dhe në fillim, një kod tejet antidemokratik.
Llafet e tjera janë fukarallëk mendimi dhe tymnaja intelektualiste, janë një verb prostitutash dhe dhjekarakësh.
III.
Ndoshta ka njerëz që nuk e duan Ilir Metën apo deputetët që gjenden në grevë urie bashkë me të. Është e drejtë e tyre. Mirëpo nuk ka se si, edhe ata mosdashësit e kushdoqoftë tjetër, të mos duan sot kauzën e tyre!
“Të drejtën për të numëruar votat e popullit, qofshin ato 10, 100 apo 1 milion! Qofshin ato pro apo kundër tyre! Qofshin ato për engjëjt apo për djajtë! E drejta për të ditur është e drejta për të ruajtur. Për të ruajtur nga vjedhja votën e shqiptarëve, votën time dhe votën tënde, votën e tyre dhe votën e të gjithëve!”
Kaq e thjeshtë dhe kaq dramatike është çështja.
Prandaj ata deputetë e kanë kthyer Kuvendin në një kullë dhe në një barrikadë, që shërbëtorët e të pushtetshmëve të mos i vrasin edhe njëherë zgjedhjet e lira me dorashkat e pseudoligjeve.
Prandaj dhe, i duam apo si duam, janë të ëmbël apo janë të thartë, janë të majtë apo të djathtë, ata, po fisnikërojnë sot politikën shqiptare, pa zhurmë dhe pa retorikë.
Prandaj dhe janë apo s’janë të preferuarit tanë, ata, sot me grevën e tyre po i thonë ndal një shëmtie të pritme, të nënshkruar nga Berisha dhe Rama.
Dhe vendi i atyre që thirren intelektualë dhe shqiptarë, duan s’duan, është aty, me grevistët dhe çështjen e tyre.
Çështjen tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›