Greva, Topalli takon disa ambasadorë të BE
Greva e deputetëve të LSI-së dhe PDK-së alarmon ndërkombëtarët. Situata kaotike e krijuar në prag të miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, ka sjellë dhe reagimin ndërkombëtarëve. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, përpara zhvillimit të Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare, ka pasur disa takime me ambasadorët e vendeve të rëndësishme të akredituar në Tiranë. Sipas burimeve mësohet se ambasadorët e Britanisë së Madhe, të Republikës Federale Gjermane dhe Francës kanë zhvilluar një takim me kryeparlamentaren Topalli për t’u njohur me situatën politike në vend. Greva e urisë së 10 deputetëve duket se ka qenë shkaku kryesor i realizimit të këtyre takimeve të zhvilluara me kryeparlamentaren Topalli. Ambasadorët kanë kërkuar të njihen me qëndrimin e maxhorancës parlamentare në lidhje me këtë situatë të krijuar me grevën e një pjese të deputetëve të Kuvendit. Reforma Zgjedhore është një prej kërkesave kyçe të komunitet ndërkombëtar për ta realizuar brenda një kohe. Ndërsa është theksuar se për realizimin e reformës duhet një konsensus sa më i gjerë për çështjen e Reformës Zgjedhore dhe të Kodit Zgjedhor.