E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Nuk do ikim nga salla

Kryeparlamentarja Jozefina
Topalli, u ka lëshuar një ulti
matum deputetëve grevistë,
që të braktisin sallën e Kuvendit,
ndërkohë që ata i janë përgjigjur të
vendosur me një "Jo" të fortë. Dita
e sotme duket se do të jetë e tensionuar
për politikën shqiptare,
pasi deputetët grevistë nuk kanë
ndërmend të lëshojnë sallën e Kuvendit,
duke iu përgjigjur negativisht
vendimit të marrë dje nga Konferenca
e Kryetarëve.
Vendimi
Dje në mesditë, Konferenca e
Kryetarëve, me votën e dy partive
të mëdha, PD e PS, ka vendosur t‘u
kërkojë deputetëve grevistë që të
lëshojnë ambientet e sallës së Parlamentit
dhe të kërkojnë mjedise të
tjera të përshtatshme. Sipas Konferencës
së Kryetarëve, deputetët
po e zhvillojnë grevën në kushte të
papranueshme edhe për shëndetin
e tyre, ndaj i fton ata t‘i bëjnë
thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë
së tyre politike. Sipas vendimit të
Konferencës, Parlamenti është institucioni
kryesor i kryerjes së reformave
dhe se ai është vendi i vetëm
i diskutimit dhe i debatit politik.
Procesi është ende i hapur në Komisionin
Parlamentar të Reformës
Zgjedhore. Kryetarët e grupeve të
PD-së dhe PS-së vërejtën se, në
procesin e reformave, është synuar
të përfshihen të gjitha forcat politike
dhe se deri tani, të gjitha hapat
e reformës elektorale janë arritur
me konsensusin më të madh të
mundshëm. Por procesi nuk mund
të pengohet nga askush. Konferenca
e Kryetarëve ka vlerësuar gjithashtu
se greva e urisë është një mjet
i njohur i sensibilizimit publik, por
kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar
presion politik. Duke shprehur
bindjen se çdo tentativë për të
bllokuar funksionimin e Parlamentit
është e papranueshme,
Konferenca e Kryetarëve ka ftuar
deputetët grevistë që të respektojnë
rregullat e demokracisë, ligjet
e shtetit dhe Rregulloren e Kuvendit
të Shqipërisë.
Përgjigjja
E menjëhershme ka qenë
përgjigjja e dhjetë deputetëve grevistë
ndaj vendimit të marrë nga
Konferenca e Kryetarëve.
Zëdhënësi i grevës, Dritan Prifti,
bëri të ditur nëpërmjet një deklarate
të përbashkët, përgjigjen që
ata i adresojnë Konferencës së Kryetarëve
dhe dyshes Berisha-Rama.
Sipas Priftit, "grevistët deklarojnë
vendosmërinë e patundur për të
çuar deri në fund luftën dhe
misionin për votën e lirë, që është lufta
më e rëndësishme për integrimin
evropian të Shqipërisë". "I kujtojmë
edhe një herë grabitësve dhe
manipulatorëve historikë të votës
së shqiptarëve se dokumenti i Kopenhagenit,
karta e OSBE-së për
zgjedhje të lira dhe demokratike
obligon çdo vend, çdo qeveri, që të
mundësojë maksimalisht për çdo
individ, grup apo parti politike, të
garojë në mënyrë të barabartë dhe
me garanci të njëjta përballë ligjit
dhe autoriteteve", thuhet në deklaratë.
Më tej, dhjetë deputetët
theksojnë në deklaratën e tyre se
"ne denoncojmë përgjegjësit historikë
për dështimin e zgjedhjeve
në Shqipëri: Partinë Socialiste dhe
Partinë Demokratike, të cilat në
mënyrë të rrufeshme, pa konsultime
politike dhe pa konsensus të
gjerë ndryshuan Kushtetutën dhe
sistemin zgjedhor". Deputetët
shprehen më tej në deklaratën e
tyre se janë më të motivuar dhe më
të vendosur se kurrë për të mbrojtur
me çdo çmim dhe çdo sakrificë,
llogoren e fundit të demokracisë,
zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pa
të cilat nuk ka demokraci në Shqipëri
dhe nuk ka demokraci evropiane.
"Jemi të vendosur të mos
dalim nga salla e Kuvendit, në
mënyrë që nga kjo sallë të mos
kalojë një ligj zgjedhor për interesa
të ngushta dhe vetëm të dy partive.
Por kërkojmë të kalojë një ligj zgjedhor
që garanton gjithëpërfshirje dhe
zgjedhje të ndershme. Çdo provokim,
skenar i dhunshëm ndaj grevistëve
deputetë, apo qytetarëve që
i mbështesin, do të jetë një
përgjegjësi e drejtpërdrejtë e pushtetit
konsensual të Sali Berishës dhe
Edi Ramës", përfundon deklarata.

Protestuesit instalohen në shesh, përplasje me uniformat blu

Sheshi përpara Parlamentit
ka qenë i mbushur sërish
për gjithë ditën dhe natën e
djeshme nga qytetarët e shumtë
që kanë mbështetur deputetët
grevistë. Ashtu si në dy ditët e
para, që në mëngjes, protestuesit
janë rimbledhur në shesh, të
udhëhequr nga drejtuesit e LSIsë,
PDK-së, e PS-91, duke brohoritur
dhe hedhur parulla kundër
dyshes Rama-Berisha dhe pro
mbrojtjes së votës së lirë. Në
mbështetje të grevës së dhjetë
deputetëve grevistë, dje i janë
bashkuar edhe dy deputetë të
tjerë të Kuvendit. Deputeti i
grupit parlamentar të Qendrës,
Durim Lamaj, dhe deputetja e
PSD-së, Angjelina Kola. Në një
deklaratë publike, deputeti
Durim Lamaj shprehu mbështetjen
dhe solidaritetin e tij për
deputetët e futur në grevë urie.
Ai i konsideroi të drejta kërkesat e
tyre dhe tha se "Edi Rama ta ketë
të qartë që LSI-ja është forca e
dytë pas PS-së, prandaj një komisioner
nga e majta i takon patjetër".
Lamaj tha se këtë deklaratë
e bën pasi është konsultuar edhe
me gjashtë deputetët e tjerë të
grupit parlamentar të Qendrës.
Por një gjë e tillë nuk konfirmohet
prej tyre. Deputeti Paulin Sterkaj,
pjesëtar i grupit të Qendrës, është
shprehur mbrëmë për "Shqip"
se nuk ka dijeni për qëndrimin e
deputetit Lamaj dhe grupi nuk ka
bërë ndonjë takim për të
unifikuar qëndrimin e tyre pro
kësaj proteste. Sterkaj theksoi se
personalisht është kundër
grevës, pasi nuk e vlerëson se kjo
është rruga më e mirë që disa nga
kolegët e tij kanë zgjedhur për të
mbrojtur votën e lirë. Por, ndryshe
nga Sterkaj, pro grevës së deputetëve
dhe në mbështetje të
tyre, është shprehur edhe deputetja
socialdemokrate, Angjelina
Kola, e cila ka theksuar se ky
vendim është personal. "Unë,
tha deputetja Kola, jam në
mbrojtje të votës së lirë. Pas protestës
së paradites, mbështetësit
e partive, deputetët e të cilave
janë në grevë urie, janë kthyer
sërish në shesh në orën 17:30, por
duket se këtë herë jo për t‘u
shpërndarë rreth mesnatës, ashtu
siç kanë bërë dy net më parë,
por për të ndenjur deri në ditën e
sotme". Kjo u deklarua nga drejtuesit
e protestës, të cilët, për t‘u
krijuar kushte më të mira protestuesve,
kanë vendosur disa çadra
në sheshin para sallës së Kuvendit.
Në momentin e parë, ka pasur
një kundërshtim nga uniformat
blu, të cilat nuk kanë dashur
të lejojnë një veprim të tillë, por më
pas është zgjidhur gjithçka mes
drejtuesve të protestës dhe drejtuesve
të policisë, për të vendosur
çadrat. Ndryshe nga dy netët e
mëparshme, numri i uniformave
të policisë në sheshin para godinës
së Parlamentit ka qenë dyfishi,
duke krijuar dy kordonë policorë,
të cilat mbronin godinën. Më pas
protesta ka vijuar normalisht, ku
në podiumin e improvizuar në
shesh janë ngjitur politikanë, duke
falënderuar qytetarët për mbështetjen
e tyre të madhe. Gjithashtu,
zëdhënësi i grevës, Dritan Prifti,
i ka informuar protestuesit në
lidhje me shëndetin e dhjetë deputetëve
grevistë, si dhe me deklaratën
e hartuar prej tyre, ku i
jepet përgjigje vendimit të marrë
nga Konferenca e Kryetarëve.

Meta: Skenarët e dhunës Rama- Berisha do të jenë me pasoja

I vendosur për t‘i shkuar deri në
fund grevës. Këtë qëndrim i
tha dje "Shqip"-it kreu i
Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir
Meta. Sipas tij, nuk do të njihet
asnjë vendim i konferencës së kryetarëve
Rama-Berisha. Meta insistoi
se çdo skenar dhune nga ana e
tyre do të jetë me pasoja për ata
vetë. Ish-kryeministri pranoi se ka
komunikim të vazhdueshëm me
faktorët ndërkombëtarë brenda
dhe jashtë vendit, por nuk preferoi
të bëjë me dije detaje nga bisedat.
Zoti Meta, jeni njohur sot
me vendimin e konferencës
së kryetarëve, që ju kërkon
të lironi sallën e Kuvendit.
Si e vlerësoni?
Nuk e njohim vendimin e konferencës
së kryetarëve Rama-Berisha.
Çdo skenar dhune nga ana e
tyre do të jetë me pasoja për ata
vetë. Ne do të zhvillojmë një grevë
shumë paqësore. Edhe sa u takon
protestuesve, është një shembull
se si duhet luftuar në mënyrë civile
edhe duke sakrifikuar për të
mbrojtur votën e lirë dhe
demokracinë. Ata duhet të heqin
dorë nga provokimet e tyre, pasi
kanë një vit që Edi Rama dhe Sali
Berisha provokojnë popullin shqiptar.
Që nga dhunimi që i bënë
Kushtetutës deri te dhunimi që
tanimë duan t‘u bëjnë zgjedhjeve.
A ka pasur tentativë për t‘u
marrë vesh me dy partitë e
mëdha për sa i takon Kodit
Zgjedhor?
Jo, nuk ka pasur ndonjë tentativë
nga ana e tyre. Ne qëndrimet
tona i kemi shumë të qarta, nuk
kërkojmë asnjë favor. Po luftojmë
për standardet e zgjedhjeve dhe në
radhë të parë për të garantuar që
vota e çdo shqiptari të numërohet
në mënyrë të drejtë e të ndershme.
Pra, që të jetë e barabartë.
Keni pasur, zoti Meta, komunikim
me faktorët
ndërkombëtarë dhe çfarë
qëndrimi kanë ata deri më
tani për grevën?
Ne vazhdimisht jemi në kontakt
brenda dhe jashtë vendit. Natyrisht
që nuk duam të bëjmë komente
për bisedat konfidenciale.
Nëse edhe nesër do të insistohet
në kërkesën për të
lëshuar sallën e Kuvendit, si
do të veproni?
Ne nuk kemi se si të lëshojmë
sallën, sepse ne jemi deputetë. Ne
do rrimë 24 orë në këtë sallë, në
mënyrë që të mos realizohet ngjarja
më e turpshme e shkatërrimit të
zgjedhjeve në mënyrë të turpshme,
shkatërrim që vjen nga dy
njerëz të cilët kanë humbur çdo lloj
logjike.
Për sa u takon deputetëve
të Partisë Socialiste, a ka pasur
nga ata që kanë komunikuar
me ju në mbështetje të
grevës?
Nuk mund të bëj të ditura ato
reagime të solidaritetit që kemi
pasur nga deputetë të ndryshëm.
Kemi pasur shumë, nga të gjitha
krahët e politikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›