E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim granate në stoqe, humb syrin "minatori" 29 vjeç

Një ngjarje e rëndë është shënuar dje në qytetin e Bulqizës, ku pa u mbushur një javë nga vdekja e një minatori, një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në territorin e minierës. Rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm, minatori 29-vjeçar Kujtim Miftari, nga fshati Çerenec, i Komunës Gjoricë, është plagosur rëndë, pasi gjatë punës për mbledhjen e gurëve të kromit në stoqet e Zonës së Parë, duke gërmuar me kazmë ka provokuar shpërthimin e një granate, që kishte mbetur e paplasur për arsye të paditura. Si rezultat i këtij shpërthimi, 29-vjeçari ka pësuar dëmtime kryesisht në fytyrë dhe syrin e majtë. I plagosuri është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, por për mungesë të mjekëve specialistë është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pasi, sipas mjekëve, dëmtimet në syrin e majtë janë mjaft serioze që mund të çojnë deri në humbjen e tij. Prej ditësh, i aksidentuari vinte nga fshati i tij, rreth 20 kilometra larg Bulqizës, për të mbledhur gurë kromi për të siguruar bukën e gojës për vete dhe familjen. Nga burime konfidenciale mësohet se i plagosuri po punonte së bashku me vajzën e vëllait të tij për mbledhjen e gurëve të kromit në stoqe, kur nga gërmimi me kazmë ka provokuar shpërthimin e një granate, që i ka shkaktuar dëmtime serioze. Burime zyrtare nga policia, bëjnë me dije se 29-vjeçari i aksidentuar po punonte në një zonë që nuk ishte pronë e asnjë firme të licencuar, që vepron në stoqet e kromit. Sipas policisë, "ai po punonte për llogari të tij dhe gjatë punës ka ndeshur në shpërthimin e një kapsolle të mbetur aty krejt rastësisht". Por mjeku roje në Spitalin e Bulqizës, Rizvan Kazani, pohon për "Shqip" se në trupin e të aksidentuarit janë gjetur copa metalike granate.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›