Të mbijetuarit e tragjedisë mbeten pa bukë
Familja me tetë anëtarë e Ibrahim Brahos u gjend dje në prefekturë dhe bashki, pasi nuk kishte të holla për të blerë ushqime. "Nuk mund të kuptoj ngathtësinë dhe indiferencën e bashkisë në këto rrethana. Ndonëse nuk është kompetencë e prefekturës, trajtimi me ushqim e strehim i familjeve të dëmtuara, dje ne kemi paguar me lekë në dorë pjesëtarët e familjes Braho dhe u kemi bërë thirrje disa pronarëve të supermarketeve për të furnizuar me ushqime falas familjet e mbetura pa strehë", tha për gaztën "Shqip", prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera. Një pjesë e familjeve të dëmtuara nga shembja e pallatit janë strehuar te të afërmit, ndërsa disa prej tyre në hotelin pranë pallatit të shembur. "Deri tani, përveç fjalëve dhe premtimeve, nuk kemi përfituar asnjë ndihmë me përjashtim të disa ndihmave nga të afërmit dhe miqtë. Ndihemi të braktisur dhe të pashpresë. Kemi filluar të kërkojmë të holla borxh te miqtë dhe të afërmit", tha një nga pjesëtarët e familjes Braho. Kjo familje, ashtu si të tjerat, ka humbur nën rrënojat e pallatit të shembur edhe të gjitha paratë e kursyera. Problem është edhe mungesa e librave dhe fletoreve të fëmijëve të këtyre familjeve. Nga prefektura bëhet e ditur se i është kërkuar ndihmë Drejtorisë Arsimore për të pajisur fëmijët me tekste dhe për t‘ju ofruar ndihmë profesionale me psikologë e specialistë. Prefekti Ksera u ka bërë dje edhe një herë thirrje qytetarëve të Gjirokastrës që të solidarizohen me këtë ngjarje të rëndë, duke ju ardhur në ndihmë banorëve qoftë edhe me shuma simbolike. Ndërkohë, bashkia ka dhënë një kontribut të papërfillshëm krahasuar në shpenzimet e mëdha financiare që u duhet të paguajnë ata për të siguruar mjetet më të nevojshme të veshjes dhe ushqimit. "Kemi dalë me pizhame nga shtëpitë dhe nuk kemi asnjë veshje. Na mungon gjithçka dhe nuk mund të na vlejnë 20 mijë lekë që na u dhanë nga bashkia", tha për gazetën 45-vjeçarja R.H., një nga të mbijetuarat e tragjedisë. Ndërkohë, banorët e dëmtuar vazhdojnë të ndjekin me dëshpërim procesin e shkatërrimit të shtëpive të tyre. Disa prej tyre kanë vazhduar të këmbëngulin që pallati të mos shembet, por shteti të gjejë një rrugëzgjidhje që ata të kenë mundësi të marrin sadopak nga sendet e mbetura në apartamentet e pa rrëzuara deri dje në mesditë. Por shpresat e tyre u shuan plotësisht kur kovat e ekskavatorit shkatërruan muret dhe betonet e tri kateve të sipërme të pallatit.