E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nard Ndoka: Provokuesit do të ndëshkohen rëndë nga populli

Grevistët premtojnë të mos dalin
nga salla e Parlamentit derisa të
dëgjohen kërkesat e tyre për Kodin
Elektoral. Ish-ministri i Shëndetësisë,
Nard Ndoka, në një deklaratë për
gazetën "Shqip" pohon se çdo tentativë
provokuese ndaj grevës do të jetë
me pasoja për provokuesit. Kërcënimi
i deputetëve grevistë vjen vetëm pak
orë nga fillimi i seancës së sotme të Kuvendit,
e cila ka shumë gjasa të mos
zhvillohet, ose në të kundërt, duke iu
referuar deklaratave të 10 grevistëve,
situata do të degradojë në pasoja të
rënda. "Do qëndrojmë në grevë aty ku
e kemi filluar. Reforma që ne po
kërkojmë është detyra kryesore për
politikën shqiptare", theksoi Ndoka.
Zoti Ndoka, çfarë do të
ndodhë në rast se Kryetarja e
Kuvendit do të kërkojë zhvillimin
e seancës parlamentare
dhe dëbimin tuaj me dhunë
nga Kuvendi?
Do të qëndrojmë në grevë urie, aty
ku e kemi filluar. Reforma që ne
kërkojmë është detyra kryesore për
politikën shqiptare. Çdo tentativë
provokuese ndaj grevës do të jetë me
pasoja për provokuesit. Jemi më të
motivuar dhe më të vendosur se kurrë
që të mos dalim nga salla e Kuvendit.
Si duket gjendja shëndetësore
e grevistëve?
Gjendja e deputetëve grevistë është
e mirë. Morali i deputetëve që janë
në grevë sa vjen e shtohet nga mbështetja
e protestuesve jashtë Kuvendit.
Ne jemi të vetëdijshëm për situatën
dhe do të qëndrojmë të palëkundur
deri në realizimin e kërkesave tona.
A keni pasur solidaritet nga
deputetët e kampit blu për
grevën tuaj? A ka interesime për
vazhdimësinë e grevës nga
kolegët tuaj demokratë?
Me keqardhje do të thosha se politika
shqiptare reagon vetëm kur ndërhyjnë
ndërkombëtarët dhe dy partitë
kryesore tregohen shurdhe. Por ne
kemi pasur solidaritet për vazhdimësinë
e grevës edhe nga shumë deputetë
të Partisë Demokratike, të cilët janë interesuar
për shëndetin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›