E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Nuk do ta votojmë ligjin për SHISH



Zv-kryeministri dhe njëkohësisht kreu i LSI-së Ilir Meta tha dje se vota e LSI për ligjin e SHISH është gjykim i kësaj force politike dhe jo një bashkëpunim me partitë e tjera parlamentare.
"Kjo nuk ka lidhje fare me bashkimin e votës me PS-në apo me demokratët kjo është një bindje e jona dhe e imja si Ministër i Jashtëm, që çdo ndryshim, qoftë edhe një presje, përderisa jemi vend anëtar duhet të jetë i mirë konsultuar me Aleancën së pari. Së dyti, ne duam të hyjmë në BE dhe që të bëhemi pjesë e tij, jemi të detyruar që të përputhim legjislacionin tonë me atë të BE-së. Dhe kur jemi praktikisht anëtar i një Aleance, ky detyrim është dy herë më i madh", u shpreh Meta gjatë një interviste në "Alsat". Kreu i LSI-së tha dje gjatë një prononcimi për "Top Channel" se nuk do të votojë projektligjin për SHISH në seancën e së hënës. Ndërsa në mbledhjen e Aktivit të LSI-së për Tiranën, Meta sqaroi pozicionin e kësaj partie brenda koalicionit me PD. "Raportet tona kanë qenë dhe do të jenë shumë konstruktive dhe në këtë drejtim, LSI, duke i qëndruar shumë korrekte marrëveshjes së nënshkruar midis dy forcave politike, për të gjitha çështjet që ne kemi rënë dakord për të krijuar këtë qeveri të integrimit, dhe LSI ka ruajtur dhe do të ruajë identitetin e saj për çështje, të cilat do të na dallojnë me PD-në. Jemi në një koalicion, nuk jemi në një parti. Vendimet tona nuk kanë të bëjnë me kundërvënien e askujt, por kanë të bëjnë me mbrojtjen e programit tonë. Ministri i Jashtëm dhe njëkohësisht zv.kryeministri kërkoi rishikimin e ligjit të SHISH sipas vërejtjeve të bëra nga partnerët e Shqipërisë. "Sipas gjykimit tim ka nevojë për një rishikim të këtij ligji, i cili është një ligj që është shumë i vjetër në kohë dhe natyrisht që ky është një proces kompleks dhe është një proces që duhet të marrë nën konsideratë faktin që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s dhe NATO ka rregullat e saj të funksionimit edhe në drejtim të bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve inteligjente, ku dihet se lufta kundër terrorizmit është një prioritet madhor për Aleancën dhe për Shqipërinë si një vend anëtar i saj. çështja e shërbimeve inteligjente është një çështje delikate dhe besueshmërie. Ndaj Shqipëria ka qenë dhe është në një proces konsultimi me Aleancën, por kjo çështje nuk ka përfunduar ende. Për këtë arsye edhe mendimi im ka qenë dhe mbetet se duhet të përfundojë ky proces para se këto ndryshime të sillen në Kuvendin e Shqipërisë", u shpreh Meta.

LSI përgatitet për zgjedhjet në Tiranë
Lëvizja Socialiste për Integrim zyrtarizoi dje kandidaturat për kreun e kësaj dege në Tiranë. Gjatë aktivit të LSI-së për Tiranën, kreu i kësaj partie, Meta kërkoi përgatitjen e saj për zgjedhjet vendore në kryeqytet dhe shtimin e radhëve të saj. Meta kërkoi një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore. "Jam i bindur se LSI do të vazhdojë të luftojë për një reformë elektorale zgjedhore gjithëpërfshirëse. LSI ka qenë më kritikja për kodin PS-PD të miratuar në zgjedhjet e shkuara, megjithatë ne, dhe pse ishim forca më e diskriminuar pranuam kushtet që vendosën të tjerët, ndërkohë që ata nuk pranojnë rezultatin që firmosën dhe vulosën vetë. Ndaj i ftoj dhe një herë të bëhen pjesë e kësaj reforme gjithëpërfshirëse", tha Meta në aktivin e Tiranës. Për kreun e LSI-së në Tiranë do të garojnë Prof. Dr. Shezai Rrokaj, dhe Prof. Dr. Edmond Panariti të cilët para anëtarësisë shpalosën platformën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›