Dritëroi: Të hapen materialet në Berat, Tiranë e Shkodër
Patriarku i socialistëve, Dritëro Agolli në një intervistë për "Vizion Plus" tha dje se negociatat mes PD dhe PS duhet të kishin filluar më herët, ndërsa mund të hetohen vetëm materialet zgjedhore për disa qarqe. Sipas Agollit, kriza politike në Shqipëri është pasojë e një Kodi Zgjedhor që duket se është miratuar nga forca politike "në gjendje të dehur". "Të dyja forcat politike kanë bërë një gabim të madh që nuk i kanë filluar më herët negociatat. Për këtë kanë faj të dyja partitë të cilat kanë bërë një gabim me Kodin Zgjedhor si dhe me Kolegjin Zgjedhor. Të dyja partitë kanë bërë një marrëveshje me atë Kod Zgjedhor dhe menduan se do të shkonte mirë. Mirëpo të dyja partitë nuk menduan mesa duket se çfarë vjen pas. Të dyja partitë kishin thënë më parë se kutitë do të hapen, e më pas njëra tha se nuk do t'i hapë. Sipas meje, jo vetëm për hapjen e kutive, por drejtuesit tanë duhet të mendohen shumë mirë për ligjet që krijojnë në fillim të zgjedhjeve. Të dyja palët e pranuan këtë kod zgjedhor sikur të kishin qenë në një sofër pak të dehur dhe vetëm pasi ju doli dehja menduan për atë se çfarë kishin bërë", tha Agolli, për "Vizion Plus". "Unë jam për hapjen e disa kutive në Berat, Shkodër dhe Tirane. Por jo të gjitha kutitë. Në të kundërt të hapen kutitë e materialeve zgjedhore", thotë shkrimtari. Ai pohon se PD dhe PS duhet të gjejnë një zgjidhje, ndryshe kjo situatë do të ndikojë negativisht duke rritur pakënaqësinë në popull. "Kam një shpresë se mund të arrihet në një përfundim. Në të kundërt do të jetë jo e kënaqshme edhe për popullin. Populli ka bërë lëshime ndaj dhe partitë duhet një herë të bëjnë lëshime. Duket vetëm liderët nuk bëjnë lëshime. Sado të zotë të jenë liderët, nuk janë deri në fund përfaqësues të përjetshëm të popullit. Ndaj nuk duhet ta monopolizojnë përgjegjësinë qytetare. Se populli ka parë shume pashallarë, por është po ai popull se ky populli, sot të do, nesër të rrëzon". Në lidhje me debatin e hapur nga maxhoranca për Masakrën e Tivarit, Agolli tha se kjo çfarë po ndodh është vetëm një teatër politik. "Ndaj dhe për këtë, kjo lojë është një lojë politike tepër banale. Ky problem ngrihet me qëllim nga maxhoranca për t'ia paraqitur popullit se këta janë pasardhësit e komunistëve që kanë bërë masakra të kësaj natyre. Ngritja e kësaj ngjarjeje është antikombëtare, sepse sipas tyre, ata që bënë këtë masakër janë me serbët. Ata që duan të ngrenë këtë problem duan të ndajnë Shqipërinë në serbë dhe shqiptarë. Këtë çështje duhet ta zgjidhin serbët dhe Kosova që tashme është shtet, ne nuk na përket kjo çështje. Kjo masakër para se të jetë çështje e Parlamentit tonë, mund të jetë çështje e Hagës po të kërkojë ta hetojë", pohoi shkrimtari Dritëro Agolli duke u bërë thirrje partive politike dhe Parlamentit shqiptar të merren me transparencën e zgjedhjeve dhe korrupsionin që ka përfshirë nivelet më të larta të politikës.