Mediu: Të merret parasysh mendimi i NATO-s për SHISH
Kryetari i Partisë Republikane, pjesë e koalicionit të djathtë, Fatmir Mediu bën thirrje që qeveria të marrë parasysh shqetësimin e strukturave të NATO-s për ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Në një komunikim me gazetën "Panorama", Ministri i Mjedisit në kabinetin qeveritar, thotë se miratimin e ligjit duhet ta paraprijë një diskutim i plotë për të marrë parasysh të gjitha propozimet. "Ligji për Shërbimin Informativ është një ligj i rëndësishëm, për vetë ne se ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe duhen përcaktuar qartë gjithë elementët, funksionet apo raporti për të qenë të përgjegjshëm, si individët, ashtu edhe institucioni. Në këtë drejtim tenton edhe ligji. Por për sa kohë ka shqetësime të ardhura nga strukturat e NATO-s, ne si vend anëtar i NATO-s, duhet të kemi diskutimin e plotë me ata për të tërhequr mendimet e tyre, sepse ky është një shërbim që punon në partneritet", thotë Mediu. Sipas tij "siguria jonë kombëtare nëpërmjet këtij shërbimi inteligjence është shumë i lidhur me ndërveprime me shërbimet e tjera të inteligjencës, në mënyrë të veçantë me anëtarët e NATO-s. Struktura e NATO-s, që merret me inteligjencën, është një strukturë që duhet konsideruar për mendimet dhe vlerësimet e saj. Edhe në qoftë se ka paqartësi që mund të vijnë thjesht e vetëm për supozimet të faktuara është mirë të zgjidhen në kohën sa më të shpejtë të mundshme". Duke folur për seancën e të enjtes në Parlament, ku për shkak të rrëzimit të një amendamenti në komisionin e sigurisë, ligji nuk u fut për votim, kreu i republikanëve thotë se kjo tërheqje ka të bëjë me faktin se qëllimi i Qeverisë është ndërtimi i Shërbimi që t'i shërbejë sigurisë kombëtare. "Tërheqja e ligjit ditën e djeshme ka të bëjë me diskutimin më të thellë me partnerët tanë dhe kam bindjen se si Kryeministri Berisha, zv.kryeministri Meta dhe gjithë Qeveria ka vetëm një qëllim të ndërtojë një shërbim inteligjence, i cili t'i shërbejë sigurisë sonë kombëtare", theksoi më tej Ministri i Mjedisit. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Partisë Socialiste që të bëjë propozimet e saj për draftin, pasi siç thotë Mediu, ndryshimet në ligjin e SHISH nuk kanë të bëjnë me vendosjen e mandatit të kreut të Shërbimit.