Oketa, Demi e Sterkaj:Pse s'e votojmë ligjin
Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi kërkoi në mbledhjen e fundit të këtij komisioni që ligji i SHISH të shqyrtohet në shtator. Me këtë qëndrim, ai argumentoi votën e tij kundër amendamentit të deputetit Fatos Hoxha, për shkarkimin e kreut të Shërbimit. "Unë nuk jam dakord me amendamentin e zotit Hoxha dhe kërkoj që çdo gjë të shqyrtohet në shtator", tha Demi, në mbledhjen e ditës së enjte. Ndërsa ish ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa u shpreh se nuk mund të marrë përsipër të rrëzojë projektligjin e Qeverisë, duke qenë se në amendamentin e Hoxhës parashikohej që i gjithë drafti të hidhej poshtë. "Unë midis amendamentit të zotit Hoxha dhe sensibilitetit që shkakton në sallë, zgjedh sensibilitetin. Jam kundër amendamentit", tha Oketa. Ndërsa deputeti Paulin Sterkaj tha në mbledhjen e komisionit se "ky amendament për mua është i pakuptimtë dhe kërkon zëvendësimin e një rendi pune. Unë nuk votoj për një amendament të tillë dhe jam kundër".