Uidhërs, kundër ligjit të SHISH-it: Të mos miratohet
JONUZ HALLAçI
Shtetet e Bashkuara të Amerikës pozicionohen sërish kundër ndryshimeve të ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror. Një ditë, pasi Partia Demokratike tentoi të kalojë për votim në seancë plenare një draft ku kërkohet shkarkimi i kreut të Shërbimit, Ambasadori i SHBA-së, në vendin tonë, Xhon Uidhërs reagon nga qyteti i Kukësit. Ai ka deklaruar se qëndrimi i Uashingtonit është shprehur më parë në deklaratën për shtyp në muajin mars, dhe ai qëndrim është edhe tani. "Qëndrimi i SHBA-së është ai që është thënë me kohë dhe që është në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane", theksoi Ambasadori Uidhërs në komunikimin e djeshëm me mediat në qytetin verilindor.
Qëndrimi i SHBA
Pas miratimit të ligjit në Qeveri dhe diskutimit në komisionet parlamentare, Ambasada Amerikane në Tiranë reagoi ashpër kundër ligjit. Në një konferencë të posaçme për shtyp, Ambasadori Uidhërs tha se drafti po dëmton imazhin e Shqipërisë para ndërkombëtarëve. "është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit shërbimit informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj në formën e tij aktuale po e dëmton këtë imazh. Ne e marrim këtë çështje shumë seriozisht", theksoi Uidhërs. "Nxisim me forcë që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit, përpara se Parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. është e domosdoshme që çfarëdo projektligji i tillë të përmbushë standardet ndërkombëtare në përputhje me detyrimet euro-atlantike të Shqipërisë", shtoi më tej Ambasadori amerikan. Sipas tij, Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të mbetet profesional dhe të mos politizohet. Madje kreu i diplomacisë amerikane shtoi në atë kohë se ligji e çon vendin në drejtim të gabuar, duke i bërë thirrje Qeverisë që të dëgjojë këshillat e ndërkombëtarëve. "Mendoj se ajo që duam të nënvizojmë është se sa seriozisht e marrim çështjen e këtij projektligji të posaçëm. E marrim vërtet shumë seriozisht. Shqipëria është një anëtare e re e NATO-s dhe ka aspirate për integrim të plotë euro-atlantik. Ndjejmë se ky projektligj e çon Shqipërinë në drejtimin e gabuar. Si miq, si miq të ngushtë të Shqipërisë, ne duam të ofrojmë këshillat tona për t'u siguruar që mikja jonë Shqipëria nuk do të vazhdojë në atë drejtim të gabuar", shtoi më tej Ambasadori amerikan. Në fund, ai bëri thirrje që ekspertët ndërkombëtarë të rishohin projektligjin për t'u siguruar që ai përmbush kriteret ndërkombëtare.
Pozicioni i PD
Nga ana e saj, Partia Demokratike mësohet se po provon të gjitha variantet për ta kaluar sërish në seancë ditën e hënë ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Nuk bëhet e ditur nëse në seancë do të kalojë varianti i miratuar më parë nga Këshilli i Ministrave apo amendamenti i deputetit Fatos Hoxha, por ajo që mund të thuhet me siguri është fakti që maxhoranca do ta mbajë të hapur këtë çështje deri në momentin e fundit. Seanca e së hënës ka në rendin e ditës miratimin nen për nen të rishikimit të buxhetit, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e shtimit të rendit edhe me ligjin e SHISH.