E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Nuk e shikoj Topallin si presidente!

Share

Nuk ju është kërkuar në Uashington që të pengoni zotin Berisha për një president të njëanshëm?

Absolutisht nuk ka pasur një kërkesë të tillë. Prioriteti kryesor edhe i Uashingtonit është Shqipëria të plotësojë 12 prioritetet, Shqipëria të marrë statusin kandidat dhe nuk mendoj se ka komplikacione të këtij karakteri. 

Do ti bllokoni zotit Berisha një kandidat të dalë nga kryesia e PD-së?

Përderisa çështja e presidentit është çështja më e diskutuar, dhe çdo herë sapo afron data për zgjedhjen e presidentit fillojnë debatet dhe kjo është pjesë e një procesi transparent. Pra në një farë mënyrë kemi hyrë në një proces publik, por jemi ende larg një procesi institucional. Në këtë drejtim për LSI dy janë elementët kryesore për këtë çështje. E para, presidenti të zgjidhet në mënyrë kushtetuese dhe këtë nuk e askush në diskutim. E dyta, ky proces të jetë jo vetëm kushtetues por dhe sa më konstruktiv që të jetë e mundur, sepse mendoj sepse mendoj se dhe jehona e këtij momenti që ka dalë në plan të parë, absolutisht që do të ketë ndikimet e saj për vlerësimet dhe të partnerëve ndërkombëtarë si BE përsa u takon dhe reformave të tjera të shumëkërkuara sidomos atyre që janë në fushën e drejtësisë dhe forcimit të ligjit. Ndaj është e rëndësishme të hymë në një proces konstruktiv dhe të mos nisemi nga emrat për të ndërtuar procesin por të ndërtohet një proces serioz, i cili te jetë sa më shumë dinjitoz për vendin. 

Kryetari i mazhorancës është shprehur se presidenti i ardhshëm do të jetë një nga figurat e PD-së. Do ti votonit ju zotit Berisha një nga emrat e PD për President?

Ne nuk kemi biseduar për këtë çështje dhe nuk marrim përsipër të komentojmë as deklaratat, as kuptimet, as nënkuptimet e tyre. Dua të theksoj se PD është faktor kryesor në zgjedhjen e presidentit sepse është forca kryesore në parlament, megjithatë e ritheksoj se pavarësisht nga emri që do të zgjidhet në fund, është e rëndësishme që ky të jetë një proces konstruktiv dhe presidenti të jetë një figurë sa më e pranuar gjerësisht. 

Ju keni një ambicie për të qenë president këtë vit?

Mendoj se nuk do doja të përsërisja atë që kam shprehur dhe më parë që do ta gjykoja zgjedhjen e presidentit apo presidencën një synim të një politikani apo si një kulm të karrierës së tij politike dhe njëkohësisht dhe si një largim nga politika në të ardhmen. Të paktën sipas konceptit që ka presidenti në Kushtetutën tonë sepse ka dhe raste të tjera sikurse rasti i Serbisë. Ndaj në këtë drejtim nuk dua të përsëris faktin se e shikoj të parakohshme. 

Pavarësisht moshës suaj të re, por keni rreth 20 vjet që jeni një prej 3 faktorëve kryesorë në politikën shqiptare. Nuk mendoni se pas 20 vjetëve mund të mbyllnit në nivelin më të lartë, pra si kryetar shteti?

Nuk e kam menduar një mbyllje të tillë. Së dyti për mua është e rëndësishme që si drejtues i forcës së tretë politike, sikurse është LSI, fati i së cilës gjatë këtyre viteve ka qenë jo pak i lidhur me profilin tim politik, me eksperiencën, pra në këtë drejtim theksoj se do të vazhdoj të kontribuoj dhe më tej jo vetëm në drejtimin e kësaj force politike, por sidomos në rritjen e kontributeve të saj pozitive për një politikë e cila forcon stabilitetin e vendit, e cila normalizon politikën tonë, e cila ndihmon që të afrohemi më shumë me Bashkimin Europian. 

Nga PD ka shumë zëra që flasin për zonjën Topalli. Çfarë do ti kërkonit në këmbim zoti Berisha për ti votuar zonjën Topalli si presidente?

Emri që ju përmendët është një emër i respektuar në politikën shqiptare sepse ajo ka kontributet e saj të padiskutueshme dhe nuk është e lehtë për një femër, për një grua të afirmohet në jetën politike. Ne këtë e shohim si një moment që të kontribuojmë për një proces konstruktiv dhe emri që del pas këtij procesi, cilido që të jetë, do të jetë një person që do të ketë përkrahjen tonë. Por, kjo nuk është më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është që të fitojë një përkrahje sa më të gjerë. 

A i plotëson zonja Topalli kriteret për të qenë presidente e Republikës, përveç faktit nëse duhet apo jo një presidente femër?

Nuk mendoj se është ky një problem sepse përmes një zgjedhje të tillë zgjidh problemin e të drejtave të gruas në shoqërinë tonë. Por, ajo që duhet të theksoj është se duhet një proces sa më konstruktiv. E dyta, cilido që merr përsipër një angazhim të tillë ditën që bën betimin duhet të ketë një shkëputje nga të gjitha angazhimet e mëparshme, në rast se kemi të bëjmë me një figurë politike aktive të jetës publike. Kështu që ne kemi parë edhe më parë, kur kemi paragjykuar, por pasi është bërë president ka funksionuar më mirë se sa ka qenë menduar. Vetë pozicioni i presidentit është i tillë që duhet të jetë një pozicion sa më objektiv, një pozicion sa më i paanshëm dhe i besueshëm për të luajtur atë rol që duhet në momentet kur e kërkon Kushtetuta. 

Po thoni që ka ndonjë paragjykim për zonjën Topalli edhe pse mund ti plotësojë kriteret për të qenë presidente?

Nuk dua të hyj në çështje konkrete. Problemi këtu është tek procesi. Problemi nuk është tek emrat. Tjetra që ka shumë rëndësi është që në fund të këtij procesi pavarësisht se kush del, duhet ti qëndrojë betimit që do të bëjë para Kushtetutës. Pra, të jetë një president i të gjithë shqiptarëve. 

A është e vërtetë se kësaj radhe zoti Nano ju ka kërkuar që ta propozoni për president?

Nuk kam pasur ndonjë komunikim për këtë çështje.

A është mundur që zoti Nano tju shantazhojë?

Nuk kam dëgjuar ndonjë gjë. Nuk ka pasur një presion të tillë. Nuk mund të pranohen presione të tilla nga askush, së pari. Së dyti, një kandidat për president vjen me filozofinë jo të bërit presione sepse nëse bën presione para se të bëhet president, mendo se çmund të bëjë më pas. 

Në rast se nuk e propozoni zotin Nano për president, a ju cenohet grupi aktual parlamentar?

Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë shqetësim të tillë. 

Me çfarë statusi e realizuat takimin me shefin e DEA-s në Amerikë dhe çfarë biseduat me të?

Nuk më interesojnë shumë komentet pasi unë mendoj se faktet janë më të rëndësishme se komentet. Në radhë të parë unë jam ish-kryeministër përveç se jam kryetar i një force politike, që është forcë e dytë në një koalicion qeverisës. Jam anëtar i Parlamentit. Për çështjen konkrete është e rëndësishme që bashkëpunimi me Shqipërinë është shumë pozitiv, përvoja e deritanishme ka qenë shumë e suksesshme dhe natyrisht që unë besoj se ky bashkëpunim do të jetë edhe më i fuqishëm në të ardhmen. Jo thjesht në raportin bilateral por edhe në rolin që Shqipëria ka luajtur dhe luan në planin rajonal në luftën kundër trafiqeve. Luftë më e fortë kundër krimit të organizuar absolutisht do të thotë një rajon më i stabilizuar dhe një aleat më i fortë dhe më i qëndrueshëm edhe për vetë SHBA-të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›