E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Nuk kemi asnjë kusht për Berishën, kemi vetëm hallin e programit qeverisësNga TemaLëvizja Socialiste për Integrim është në pritje të kryeministrit Berisha për të nisur negociatat zyrtare për krijimin e qeverisë së re. Këtë e deklaroi dje kryeta

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Meta: Nuk kemi asnjë kusht për Berishën, kemi vetëm hallin e programit qeverisësNga Tema

Lëvizja Socialiste për Integrim është në pritje të kryeministrit Berisha për të nisur negociatat zyrtare për krijimin e qeverisë së re. Këtë e deklaroi dje kryetari i LSI, Ilir Meta, i cili tha se LSI është e përgatitur për të hyrë në negociata dhe në qeveri me të gjitha alternativat e duhura për të garantuar një qeverisje efikase në katër vitet e ardhshme. Meta tha se shtyrja e negociatave ka të bëjë me plotësimin e afateve kushtetuese të qeverisë aktuale dhe se LSI është e gatshme të nisë negociatat në kohën e duhur për të bërë të mundur krijimin e qeverisë në afatet kushtetuese. Kryetari i LSI nuk bëri komente lidhur me numrin e ministrive që pretendon LSI apo edhe me emrat që do të përfaqësojnë LSI në qeveri, por theksoi se programi është elementi kryesor dhe busulla e orientimit të koalicionit dhe qeverisë së re.

Analistët thonë se kryeministri, Sali Berisha, mund të jetë në pozitë më të favorshme në këto negociata, për shkak se Meta nuk mund të tërhiqet më, pasi ka bërë fakt të kryer qeverisjen.

Gjatë ditës së djeshme Meta foli vetëm për parime, ndërkohë që lëvizja e tij për të qeverisur vendin me Berishën ishte pragmatiste. Sipas LSI, ata janë votuar për të qenë në qeveri.

Z. Meta, jemi shumë të interesuar gjatë kësaj periudhe për zhvillimin e negociatave ndërmjet LSI dhe PD për koalicionin qeverisës...

Lidhur me fillimin e negociatave me kryetarin e PD për koalicionin e ri dhe qeverinë e re mund t’ju them se, ne jemi të hapur për të biseduar në momentin e gjykuar të përshtatshëm nga kryetari i PD, z. Berisha. Jemi të përgatitur në radhë të parë me prioritetet kryesore që ne kemi për programin e ri qeverisës të vendit, por njëkohësisht mirëkuptojmë dhe qëllimin e tij të shprehur dhe publikisht kohë më parë se këto negociata do të duhen të zhvillohen sa më pranë afateve kushtetuese për fillimin e parlamentit të ri dhe për krijimin e qeverisë së re, pasi deri në atë moment vendi ka qeverinë aktuale, e cila duhet të përmbushë me përgjegjësi të gjitha detyrat që i cakton Kushtetuta. Kështu që ne nuk jemi të shqetësuar, por kemi besim se çdo gjë do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve që presin një qeverisje akoma më të mirë, akoma më të përgjegjshme, akoma më sociale, e cila duhet të përmbushë të gjitha detyrimet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE.

Pra, ju z. Meta keni gati dhe emrat e ministrave që do ofroni për kabinetin e ri dhe platformën e bashkëpunimit?

Nuk është e vështirë për të gjetur emra dhe kapacitete për të qeverisur në LSI, por nuk është kjo gjëja më e rëndësishme. Ne kemi pasur një program gjatë fushatës elektorale, natyrisht që ne nuk presim që ky program të jetë patjetër programi i koalicionit të ri dhe qeverisë së re, sepse në çdo rast duhet të ketë një integrim dhe një harmonizim me prioritetet e PD apo dhe me forcat e tjera politike që do të jenë pjesë e këtij koalicioni. Por natyrisht ne kemi disa prioritete të veçanta, të dallueshme dhe në fund të fundit janë të interes të vendit dhe të shtresave më të gjera sociale, për të cilat sigurisht do të insistojmë me argumente edhe më shumë. Por ne jemi të bindur se qëllimet e kësaj mazhorance janë shumë të rëndësishme. Momenti i krijimit dhe funksionimit të kësaj mazhorance të re qeverisëse, është një moment shumë i rëndësishëm, ne kemi gjithë vullnetin politik dhe konstruktiv që të sjellim një risi, e cila ndihmon për të forcuar mirëqeverisjen në vend, dhe njëkohësisht për të sjellë një bashkëpunim më të gjerë social dhe politik. Në këtë këndvështrim ne jemi shumë të gatshëm dhe të disponuar për të bashkëpunuar dhe me Partinë Socialiste në drejtim të atyre reformave që kërkojnë dhe bashkëpunimin e opozitës.

Z. Meta, a mund të na thoni çfarë dikasteresh mund të drejtojë LSI apo çfarë ju kërkoni, dhe personalisht a do të jeni pjesë e kabinetit qeveritar?

Ne nuk kemi asnjë kusht për asnjë dikaster. As për numra dikasteresh nuk vëmë kushte. Ne duam që të realizojmë në radhë të parë një program qeverisës sa më përfaqësues, kjo është kryesorja dhe kjo i intereson qytetarëve shqiptarë dhe kjo i intereson dhe drejtuesve të LSI. Për sa i takon emrave të përveçëm, besoj se kjo është gjëja me më pak interes në raport me interesat që duhet të përmbushë ky koalicion dhe prandaj nuk janë shumë të rëndësishëm as emrat, të cilat pa dyshim do të vijnë si rezultat i diskutimeve dhe bisedimeve të ndryshme. Ndaj emrat dhe funksionim im, nëse do të kem ndonjë funksion tjetër përveç atyre që kam, nuk ka asnjë rëndësi, sepse në çdo rast për ne ka rëndësi suksesi i këtij koalicioni qeverisës, për ne ka më shumë rëndësi që Shqipëria të përballojë me një kosto sa më të ulët për qytetarët e saj dhe sidomos ata që janë në një gjendje të vështirë sociale këtë krizë ekonomike, që ka prekur shumë vende dhe nuk mund të themi që nuk ka prekur Shqipërinë, dhe që nuk ka prekur shumë nga shtresat që kanë të ardhura të pamjaftueshme, por edhe qoftë për biznesin që ka vështirësi më shumë. Pastaj çështjet e tjera janë të gjitha të zgjidhshme dhe nuk janë penguese.

Z. Meta, a mund të jeni ju drejtues në ndonjë ministri që ka lidhje dhe me përmbushjen e kushteve për integrimin e vendit?

Me integrimin e vendit lidhet çdo gjë. Integrimi është një proces, i cili nuk është se ka një fushë ekskluzive. Kur dikush nga kolegët e mi ka përmendur prioritetet e LSI, gjithmonë është menduar, që pas çdo prioriteti të vendoset emri i një ministrie apo ministri. Ne nuk kemi këtë koncept, dhe nuk mendojmë që procesi integrues do të ecë dhe do të ketë zhvillim, nëse në krye të këtij posti nuk do të jetë një emër i përveçëm i LSI. Mendoj se programi është elementi kryesor dhe mendojmë se ai është busulla e orientimit të koalicionit dhe qeverisë së re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›