Rama: Qëndrimi i Grossruck është personal, nuk shesim zgjedhjet e grabituraNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha pas takimit me Wolfgang Grossruck, zv/president i Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe kryetar i delegacionit monitorues të
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Qëndrimi i Grossruck është personal, nuk shesim zgjedhjet e grabituraNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha pas takimit me Wolfgang Grossruck, zv/president i Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe kryetar i delegacionit monitorues të kësaj Asambleje, se ata nuk do i shesin zgjedhjet e grabitura. Rama theksoi se, qëndrimet e Grossruck në lidhje me standardet zgjedhore janë personale.
Takimi
Kryetari socialist tha se takimi i Grossruck ishte një takim ku kërkohej të mësohej për pikëpamjet e tyre për zgjedhjet. Rama tha se ata nuk do të tërhiqen nga zbardhja e krimit elektoral. “Ishte një takim ku u dëshirua dëgjimi i pikëpamjes tonë. Pikëpamja jonë është e qartë; ne nuk i shesim zgjedhjet e grabitura të 28 qershorit. Nuk do të tërhiqemi pa e zbardhur deri në fund krimin elektoral të 28 qershorit. Për ne rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit është i papranueshëm dhe i gjithë aksioni ynë politik do të jetë i fokusuar në betejën për të mos lejuar që deformimi i rëndë i 28 qershorit të kthehet në bazë për një ecuri normale të një jete politike, e cila tanimë është e kushtëzuar nga domosdoshmëria për të vënë në vend dinjitetin e votës dhe të votuesve shqiptarë, të cilët nuk e panë rezultatin e votës së tyre të shprehur si funksion i një procesi të lirë dhe të ndershëm nga fillimi deri në fund”, - tha Rama.
Deklarata e Grossruck
Rama komentoi dje edhe deklaratën e Grossruck se zgjedhjet e këtij viti ishin më të mirat. Ai tha se është një deklaratë personale. Rama tha se shqiptarët janë të vetëdijshëm për atë që ka ndodhur. “Është një deklaratë thjesht personale, për të cilën unë nuk kam asnjë koment. Ajo që unë dëshiroj të theksoj është se ne jemi jo vetëm të informuar, por edhe plotësisht të vetëdijshëm për gjithçka ka ndodhur, siç janë të vetëdijshëm të gjithë shqiptaret e shqiptarët, që nuk duan të jetojnë në një skemë të mbyllur, ku populli voton dhe pushteti numëron, por, duan të jetojnë në një vend të lirë demokratik, ku pushteti është rezultat i vullnetit të pacenuar dhe të pacenueshëm të popullit që voton”, - tha Rama.
Zgjedhjet e parakohshme
Drejtuesi i socialistëve tha dje se synimi i tyre do të jenë zgjedhjet e parakohshme. Rama tha se kjo nuk bëhet për të ndryshuar pushteti, por për shkak se është një nevojë jetike për demokracinë në vend.
“Ky është qëndrim zyrtar i Partisë Socialiste. Pa as më të voglin dyshim ky parlament ka një legjitimitet të cunguar rëndë dhe qeveria që do dalë nga ky parlament ka një mandat që për ne është i pamjaftueshëm për të respektuar vijimësinë normale të saj. Zgjedhjet e parakohshme janë pa as më të voglin dyshim një objektiv që buron jo nga një nevojë për të ndryshuar pushtetin nga duart e një partie në duart e një partie tjetër, por nga një domosdoshmëri jetike për demokracinë në vend, për rivendosjen e asaj baze pa të cilën nuk ka jetë demokratike dhe politike normale. Nuk ka bashkërendim dhe bashkëpunim mes palëve politike, nuk ka dialog dhe nuk ka shanse për të realizuar ato konsensuse që i duhen një shoqërie demokratike dhe një vendi që ka gjithë këto sfida dhe objektiva siç është vendi ynë. Për këtë arsye, ne jemi absolutisht të bindur se misioni ynë, sot si opozitë është në radhë të parë të mbrojmë demokracinë e kërcënuar. E kërcënuar për të gjithë ata që sot pas zgjedhjeve janë vënë në shënjestrën e pushtetit, si sipërmarrës, media, qytetarë, që për shkak të bindjeve të tyre dhe për shkak të qëndrimeve të tyre gjatë fushatës dhe më 28 qershor, goditen sot, por edhe ato familje shqiptare pavarësisht bindjeve të tyre, që sot po e shohin qartë dhe do ta shohin dhe do ta ndiejnë përditë e më qartë, se kjo krizë e gjithanshme është në fund të fundit një krizë që ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e jetës së tyre”, - tha Rama.