E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhja skandaloze e qeverisë me ligjin për shitjen e vilave në fshatrat turistikëNga Tema Qeveria po vjedh me ligje pronat e ish-pronarëve. Janë ish-pronarët, të cilët me anë të grupimeve të tyre zyrtare kanë denoncuar vjedhjen që po tento

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Vjedhja skandaloze e qeverisë me ligjin për shitjen e vilave në fshatrat turistikëNga Tema

Qeveria po vjedh me ligje pronat e ish-pronarëve. Janë ish-pronarët, të cilët me anë të grupimeve të tyre zyrtare kanë denoncuar vjedhjen që po tentohet të bëhet me anë të shitjes së tokave në fshatrat turistikë. Pak pas deklaratës së kryeministrit të vendit në mbledhje qeverie për legjitimim të shitjes së vilave që ndodhen në fshatrat turistikë, ish-pronarët e cilësuan këtë si vjedhje të hapur që u bëhet. Ata thonë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të ndaluar këtë veprim, që sipas tyre nuk ndihmon zgjidhjen e lëmshit të konflikteve të pronësisë, por përkundrazi shton dhe një shkelje tjetër.

Berisha

Në mbledhjen e datës 12 të këtij muaji, kryeministri, Sali Berisha, tha se ka kërkuar nga vartësit e tij që sa më parë të sjellin projektligjin për privatizimin e fshatrave turistikë. Në fjalën e tij para medieve, Berisha pranoi abuzimet që janë bërë me licencat dhe qëllimet e fshatrave turistike, dhe sipas tij kjo do të zgjidhet me projektligjin e ri. “Unë do të kërkoja që në mbledhjen e ardhshme të konkludohen disa probleme të rëndësishme, për të cilat është punuar nga ministritë e linjës. Së pari, ligji për privatizimin, pasi nuk mund të bëjmë fjalë për legalizim të fshatrave turistikë. Borgjezia e re duhet që në mënyrë përfundimtare të blejë me çmim tregu tokën që vilat e tyre kanë zënë në fshatrat turistikë, dhe këto fonde kalojnë për pronarët. Në këtë mënyrë ata do t’i gëzojnë edhe më shumë shtëpitë e tyre të weekend-it. Statusi i fshatrave turistikë është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t’i japim përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët. Statusi i tyre nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi kemi të bëjmë realisht me atë që unë e quaj borgjezia e re, por që në fakt nuk ka ndërmend ta deklarojë veten të tillë asnjëherë, gjë të cilën unë personalisht nuk arrij ta kuptoj”, - u shpreh kryeministri.

Ish-pronarët

I menjëhershëm ka qenë reagimi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Agim Toro, sekretari i kësaj shoqate, shpjegon se konflikti i krijuar me mosfunksionimin e fshatrave turistikë si të tillë duhet të zgjidhet duke hedhur një hap pas, dhe jo duke përkeqësuar situatën. Zoti Toro shpjegon se përgjegjësinë për shkeljet, pra për shitjen e vilave dhe ndërtesave të tjera në fshatrat turistikë, duhet ta mbajnë ndërtuesit dhe jo pronarët, të cilëve u është zonë toka. Sipas tij, nuk ka pse tokat t’iu falen atyre që i vodhën, por t’iu kthehen pronarëve.

“Ka shumë paqartësi në këtë pjesë. Nuk dihet ende çfarë do t’iu shitet atyre që i kanë blerë këto vila. Do t’iu shitet vetëm vila, vila me gjithë oborr, apo dhe disa hektarë tokë që rrethojnë fshatin turistik”, - shprehet Agim Toro.

Një fshat turistik ka një sipërfaqe që varion nga 3 deri në 5 apo 6 hektarë, ndërkohë me ligj çdo fshat turistik ka dhe një sipërfaqe prej rreth 100 hektarë përreth, që quhet zonë e mbrojtur. Në këtë zonë nuk lejohen ndërtimet, të çfarëdo lloji qofshin. Kështu, të ashtuquajturit “borgjezët e rinj” mund të përfitojnë me anë të projektligjit dhe këtë sipërfaqe toke. “Të gjithë fshatrat turistikë janë ngritur mbi toka pronarësh të ligjshëm. Kjo tokë, nëse fshatrat turistikë do të funksiononin si të tillë, është me qira për 99 vjet, por tashmë kryeministri kërkon ta shesë”, - thotë Agim Toro. Pronarët kërkojnë që të ndëshkohen ndërtuesit që shitën fshatrat, dhe t’iu jepet e drejtë pronarëve të tokës të vendosin me pronën e tyre. “Nuk është qeveria apo kryeministri që duhet të vendosë për pronën e dikujt tjetër. Askund, në asnjë vend demokratik nuk ndodh kjo, që prona t`i merret pronarit dhe dikush pas asnjë titull pronësie ta shesë atë”, - thotë Agim Toro.

Çmimet e tokës

Çmimet e tregut që njeh qeveria në bregdet arrijnë deri në 36 mijë lekë të vjetra, në një kohë kur një metër katror tokë në zona bregdetare arrin në një vlerë disa herë më të lartë. Dhe në këtë pikë ish-pronarët kundërshtojnë, pasi ata nuk do të arrijnë kurrë të marrin as trojet dhe as shuma financiare.

Fshatrat turistikë

Deri në vitet 2004-2005 qeveritë shqiptare kanë dhënë 32 licenca për ndërtimin e fshatrave turistikë. Këto leje kishin si qëllim promovimin e një turizmi elitar, por ndodhi krejt ndryshe nga parashikimi. Sipas të dhënave, nga 32 fshatra turistikë, vetëm dy prej tyre funksionojnë si të tillë, duke respektuar ligjet dhe lejet e marra. Për 30 të tjerët, vëzhgimet tregojnë se aty nuk ndodh ajo çka përcaktohet në ligj. Kështu, një fshat turistik duhet të funksionojë si një hotel apo restort turistik, ku vilat dhe ambientet e tjera të merren me qira nga pushues apo turistë të ndryshëm. Pas ndërtimit, subjektet apo personat që zotëronin lejet kanë shitur ndërtesat, duke i kthyer fshatrat turistikë në fshatra rezidencialë, pra duke shkelur ligjin. Në nenin 301 të ligjit “Për turizmin” Nr. 9734, datë 14.5.2007 thuhet shprehimisht që ndalohet shitja. Një tjetër shkelje apo më saktë abuzim financiar është dhe mbi përfitimet fiskale që kanë pasur subjektet që ndërtuan fshatrat turistikë. Për të promovuar turizmin, me vendim qeverie, ka lehtësira fiskale për ndërtuesit e një fshati turistik. Kështu, subjekti nuk tatohet dhe nuk paguan detyrime doganore për mallrat që sjell në Shqipëri, të cilat i përdor për ndërtimin e fshatit. Veç kësaj, një fshat turistik nuk paguan disa taksa lokale. Tashmë, me shitjen e fshatrave turistikë ndërtuesit duhet të kthejnë pas detyrimet e papaguara.

LIGJ

Nr. 9734, datë 14.5.2007

Për turizmin

Neni 30/1

Ndalimi i shitjes së njësive të veçanta akomoduese

Personat fizikë a juridikë, që kanë marrë miratimin e ministrit përgjegjës për turizmin, për zhvillimin e hoteleve, fshatrave turistikë, komplekseve turistike dhe njësive të tjera akomoduese në truall publik sipas ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, nuk lejohen të shesin njësi të veçanta të tyre.

Neni 30/2

Kushtet e transferimit të objektit të veprimtarisë

1. Edhe në rast të transferimit të titullit të objektit të veprimtarisë për zhvillimin dhe administrimin e hoteleve, fshatrave turistikë, komplekseve turistike dhe njësive të tjera akomoduese, në truall publik, sipas dispozitave të Kodit Civil, subjekti përfitues nuk lejohet të ndryshojë destinacionin turistik apo të shesë njësi të veçanta të tyre.

2. Titullari përfitues duhet të plotësojë të njëjtat kritere si transferuesi paraardhës, dhe duhet të marrë miratimin përkatës pranë ministrit përgjegjës për turizmin.

3. Në rast se nuk zbatohet neni 11 dhe pikat 1 dhe 2 të këtij neni, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk bën regjistrimin e pasurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›