Meta: Opozita “dogji” Zaganjorin për kapriço, e hëna me President

Mazhoranca është e vendosur për rezultate konkrete në seancën e së hënës që shënon raundin e katërt për President. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, në një konferencë për shtyp menjëherë pas tërheqjes së Zaganjorit nga gara, ia ka atribuar terësisht përgjegjësinë opozitës për mosdhënien e konsensusit ndaj kandidaturës së tij, sjellje të cilën ai e quajti kaprico të së majtës. Duke vlerësuar lart integritetin e figurës së Zaganjorit, Meta shprehu gadishmërinë e mazhorancës për dhënien zgjidhje në Parlament me apo pa gjetjen e konsensusit.
“Ka një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të zgjidhjes së cështjes së Presidentit. Duke u njohur me tërheqjen nga kandidimi për President të Xhezair Zaganjorit, e cila ka qenë një iniciativë sovrane e tij, që konfirmon integritetin dhe personalitetin e tij. Ai nuk e kërkoi, por ju kërkua kandidimi për të marrë konsensusin. Mazhoranca në kërkesën e saj drejtuar Zaganjorit ka qenë tepër e interesuar për ti shkuar deri në fund zgjedhjes së kësaj kandidature, që e bënte tepër konsensuale edhe për opozitën që e kishte votuar në parlament për Gjykatën Kushtetuese. Tërheqja merr një vlerësim nga LSI dhe është një mesazh për gjithë klasën politike për të reflektuar dhe për të bërë edhe një përpjekje për konsensus, por në fund të fundit për ti dhënë zgjidhje kësaj cështje në Parlament”u shpreh ai.
Ndërkaq Meta ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për mospërfshirje në zgjedhjen e Zaganjorit, duke u shprehur se ajo ka qenë e përfshirë në gjithë procesin dhe sipas tij humbi një rast të mrekullueshëm për të dhënë konsensus.
“Pretendimet e opozitës ndaj Zaganjorit nuk kanë qenë solide, shpresoj në përpjekjet për konsensus, por konsensusi dhe kapricot përjashtojnë njëra- tjetrën. Për hapat në vazhdim do të diskutojmë dhe aleatët tonë, në mënyrë që të dalim në një qëndrim dhe ti japim zgjidhje sa më të shpejtë cështjes”shtoi Meta.
Më tej ai shprehu angazhimin e LSI për një zgjedhje sa më të mirë për vendin, me qëllim zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit nga e hëna që vjen.