E Diel, 1 Nëntor 2026

Zaganjori zemëron opozitën, Ngjela: Propozojmë ne

Tërheqja e Zaganjorit nga gara presidenciale zgjon pretendimet e opozitës për të mos qenë më në rolin e dhënies së konsensusit, por propozues. Një fakt i tillë është shprehur nga një prej aleatëve të PS-së, Spartak Ngjela gjatë një deklarate për mediat menjëherë pas mbarimit të takimit te aleatëve të majtë. Ngjela pretendon se rasti Zaganjori i heq përfundimisht të drejtën kryeministrit Sali Berisha në propozimin e kandidaturave, pasi sipas tij kjo ishte provë e qartë se ai nuk është serioz në marrëveshje.
 

“Tërheqja e Zaganjorit nga një pozicion xhepfallso godet rëndë cështjen lidhur me zgjedhjen e Presidentit. Kryeministrit Sali Berisha nuk i lejohet më e drejta e propozimit, të drejtën e ka opozita. Mazhoranca nxori një kandidat, e bëri të njohur botërisht, për publikun, ndërkombëtarët, i cili nuk paska qenë i vendosur për ti shkuar deri në fund garës. Tani ose Saliu ka tentuar të tallet me të gjithë ne, ose këtë e kanë bërë bashkarisht. Saliu e humbi të drejtën, nuk është serioz në marrëveshje” tha ai.
 

Të majtët mesditën e sotme mbajnë një takim mes tyre, nën drejtimin e liderit të PS Edi Rama, jo më për reformën zgjedhore, por për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
 

Ndërkohë, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur me konsensus që raundi i katërt i votimit të presidentit të ri të zhvillohet ditën e hënë në orën 10:00.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›