E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Opozita nuk do transparencë, por destabilizim të vendit”

Autori i Lajmit: Redaksia

Pas largimit nga salla e Kuvendit të deputetëve socialistë, numri dy i qeverisë lëshoi një sërë akuzash të rënda në drejtim të Partisë Socialiste duke e konsideruar atë si opozitën më hipokrite në botë. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, zv.kryeministri Meta u shpreh se qëllimi i vërtetë i PS nuk është transparenca e zgjedhjeve, por, siç tha Meta, destabilizimi i vendit. “Këta nuk duan transparencën e zgjedhjeve, po destabilizimin dhe turpërimin e Shqipërisë”, - tha Meta. Ndër të tjera zv.kryeministri u shpreh se mazhoranca ka plotësuar të gjitha kërkesat legjitime të opozitës, përmes të cilave mund të realizohet plotësisht transparenca e zgjedhjeve.
“Opozitës iu deshën 6 muaj që të kuptonin se duhet të vinin në Parlament, të paraqisnin disa nisma. Mazhorancën e kanë, komisioni është krijuar, të vinë kur të duan. Duan kryetarin, e kanë, duan të hetojnë për financime të dyshimta, të hetojnë, duan të hetojnë për kutitë, le ti drejtohen Kushtetueses dhe Komisionit të Venecias”, - u shpreh zv.kryeministri. Opozita, vijoi Meta, nuk do zgjidhjen e situatës, por shpëtimin e mandateve të 30 biznesmenëve që ka në grupin e saj parlamentar. Ata nuk do ta japin asnjëherë votën e tyre, as për p/ligjin "Për Gjykatën Administrative" dhe as për ndonjë tjetër gjë të rëndësishme, sepse duan ta mbajnë peng Kuvendin dhe duan të instalojnë një precedent destabilizues në këtë vend. Por këto janë gjëra që nuk mund të ndodhin", - theksoi zv.kryeministri Meta.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›