E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Opozita të njohë institucionet e saj

08/06/2011  Kreu i LSI-së thirje lidershipit socialist të reflektojë dhe të pranojë humbjen

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi dje kryesinë e saj për të analizuar rezultatin që mori kjo parti në zgjedhjet lokale të 8 majit. Ndërkohë përpara nisjes së kësaj mbledhjeje, kreu i LSI-së, Ilir Meta, mbajti një fjalim përpara medias duke trajtuar disa çështje që lidhen ngushtësisht me këtë proces. Kështu, duke u përqendruar në debatin politik, i lindur për shkak të rezultatit zgjedhor në Tiranë, kreu Meta i mëshoi me forcë faktit se kundërvënia e opozitës ndaj institucioneve është e gabuar, sa kohë që vetë ajo ka dhënë konsensusin e plotë për krijimin e tyre në formën që shfaqen tani. “LSI ka qenë gjithnjë forcë politike luajale, edhe atëherë kur është bërë një kod vetëm për ta zhdukur atë. Ka hyrë në mënyrë tërësisht të pabarabartë dhe të padrejtë në zgjedhje dhe ka pranuar rregullat e lojës që i kanë vendosur të tjerët, sepse ne besojmë që demokracia është proces. Asnjë politikan edhe asnjë forcë politike në Shqipëri nuk janë kaq të përkryer sa të kenë të drejtë të ngrenë pretendime të tilla, të cilat janë vetëm alibi për rezultatet që nuk i dëshirojnë”, vuri në dukje Meta. Gjithashtu, duke sqaruar më tej këtë qëndrim, kreu i LSI-së nënvizoi se “s’mund të jetë Kolegji Zgjedhor një institucion i mirë kur rrëzon Ruzhdien sepse i intereson opozitës, dhe një institucion i korruptuar kur merr një vendim të drejtë pikërisht në përputhje të plotë me kërkesën dyvjeçare të opozitës për transparencë dhe për të numëruar çdo votë. Nuk ka pasur proces më transparent sesa ai i numërimit të votave këtë herë dhe sidomos në kryeqytet. Kjo është edhe meritë e rezultatit të ngushtë. Është gabimi më i madh t’u kundërvihesh institucioneve, thjesht sepse nuk të pëlqen rezultati. Këtë KQZ nuk e kemi krijuar ne. Kjo KQZ është produkt i konsensusit PS-PD. Dhe të gjithë anëtarët e KQZ-së, pavarësisht se nga cila palë janë propozuar, janë pranuar me konsensus nga të dyja palët”. Po kështu, ndalur dhe tek Kolegji Zgjedhor, Meta veçoi se “dhe ky institucion është krijuar me konsensus të plotë nga PS dhe PD dhe të gjithë emrat e gjykatësve janë pranuar me konsensus nga të dy palët. Ndaj është koha që të dëgjojmë institucionet, sepse qytetarin shqiptar e dëgjuam dhe e pamë më 8 maj, është koha për të vendosur një standard të ri të sjelljes politike. U humb rasti që kjo gjë të bëhej përpara zgjedhjeve dhe në fillim të këtij procesi zgjedhor, ku pati nga ata që nuk e firmosën paktin për zgjedhjet demokratike dhe me një etikë qytetare, por unë mendoj që nuk e kanë humbur rastin për t’u sjellë në mënyrë qytetare në fund të këtij procesi”.

Zgjedhjet

“Si LSI mendoj se hyjmë në një fazë të re pas këtyre zgjedhjeve, ku ky rezultat është një bazë shumë serioze për një analizë të gjendjes së strukturave në të gjithë vendin dhe në çdo njësi vendore. Sa u takon zgjedhjeve në LSI, pasi ka ardhur koha për t’i zgjedhur të gjitha forumet më demokratike, duke pasur në konsideratë edhe sfidën që na pret, të vitit 2013”

Mesazhi

“Të gjithë të përmbushin detyrimet që kanë ndaj vendit, ndaj integrimit evropian, që është një aspiratë mbarëkombëtare dhe natyrisht që këto zgjedhje ishin një ushtrim i mirë për të gjithë, por mbi të gjitha unë besoj që në këto zgjedhje u arrit të jepej një mesazh shumë i qartë: që qytetarët shqiptarë dinë të votojnë si evropianë, ndaj politika të reflektojë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›