Prifti: Energjia e projektit të Devollit tërësisht e pastër
Kjo vepër energjetike rrit me 20% prodhimin vendas
Energjia e prodhuar në hidrocentralet e ngritura në kaskadën e lumit Devoll do të jetë krejtësisht e pastër, do rrisë me 20 për qind prodhimin në vend, do të punësojë qytetarë të zonës në të dhe nuk do të ndotë aspak zonën ku do të realizohet projekti. Investimi prej 1 miliard eurosh që do të bëhet në këtë vepër energjetike, garanton të gjitha parametrat mjedisorë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka zbritur dje nga zyra dhe është ulur për të diskutuar me banorët e zonës rreth efekteve që ka realizimi i këtij projekti, gjatë Dëgjesës Publike për Vlerësimin Strategjik Mjedisor përgjatë kaskadës së Devollit të zhvilluar dje në Gramsh. Ministri nënvizoi faktin se me ndërtimin e veprës energjetike në kaskadën e lumit Devoll, prodhimi aktual i energjisë në Shqipëri do të rritet me 20 për qind. Synimi i kësaj dëgjese ishte njohja, diskutimi dhe konsiderimi i këndvështrimit të publikut dhe grupeve të përfitimit, që kanë lidhje me vlerësimin dhe masat e propozuara për ndërtimin e projektit energjetik në fjalë. Në këtë mënyrë mund të arrihet konsensusi me qytetarët dhe kontakti i drejtpërdrejtë i ekzekutivit me ta, si dhe për të bërë transparencën lidhur me përfitimet apo ndikimet që do të ketë në jetën e qytetarëve ndërtimi i projekteve të ndryshme, siç është ai i veprës energjetike përgjatë luginës së lumit Devoll. Ministri Prifti ishte i pranishëm në debatin ku u dëgjua mendimi i publikut për Vlerësimin Strategjik Mjedisor të projektit të Devollit. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit lokal të zonave pranë luginës së lumit Devoll, por edhe më gjerë, deputeti i zonës së Gramshit, përfaqësues të kompanisë Devoll Hydropower, zv.ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimin të Ujërave, z. Arben Demeti. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti u shpreh se realizimi i këtij projekti është një dëshmi e qartë e vullnetit të qeverisë për të mbështetur investimet në energjetike dhe përkrahur fuqimisht tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat përbëjnë promotorin kryesor të zhvillimit ekonomik të vendit. Z. Prifti theksoi se projekti energjetik i Devollit, vlera e të cilit arrin në 1 miliard euro, përbën nismën më të madhe të investimit privat në Shqipërinë e viteve të tranzicionit dhe nis nga zbatimi në kohën kur shumë vende të botës, përfshirë ato të rajonit, janë duke kaluar rënie ekonomike dhe ulje të investimeve të huaja. Prifti vuri theksin edhe në përfitimet që do të sjellë realizimi i veprës gjigante të Devollit, si punësim të drejtpërdrejtë të qindra e mijëra banorëve të zonës, të cilët do të angazhohen në ndërtimin e saj, por edhe në sjelljen e aktiviteteve shoqëruese e infrastrukturë të re për të gjithë rajonin, duke ndikuar pozitivisht në rritjen ekonomike të rajonit e të gjithë vendit. Realizimi i projektit të Devollit është në përmbushje të objektivit parësor të qeverisë për fuqizimin edhe më tej të pozitës energjetike të vendit. Mbi 300 MW kapacitet do ti shtohet prodhimit energjetik të vendit përmes disiplinimit të rrjedhës së Devollit në tre veprat energjetike të konceptuara në të, duke shtuar me rreth 1000 GWh prodhimin vjetor kombëtar të energjisë. E gjithë energjia e prodhuar nga projekti i Devollit është energji tërësisht e pastër, e cila e konfirmon edhe me tej pozicionin e Shqipërisë si kampione në përdorimin dhe promovimin e energjive të pastra, bazuar në rezervat që vendi ynë disponon, - u shpreh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ministri Prifti shprehu vlerësimin edhe për kompanitë që do të realizojnë projektin energjetik të Devollit, EVN dhe Statkraft, duke i konsideruar si dy nga kompanitë lider të energjisë në Evropë, pasi me investimet e tyre energjetike në Austri dhe Norvegji, por dhe shumë më gjerë, kanë pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit energjetik evropian. Në këtë drejtim, z. Prifti shprehu kënaqësinë që prania serioze e këtyre kompanive evropiane të energjetikës ka shërbyer së tepërmi për rritjen e interesit të mëtejshëm të kompanive të huaja për Shqipërinë. Jemi të bindur se të dy këta gjigantë të energjetikës evropiane do të sjellin me investimin e tyre teknologjitë më të përparuara, standardet më të mira të ruajtjes së mjedisit, shëndetit dhe sigurisë, duke e shndërruar të gjithë projektin dhe rajonin në një model se si integrimi në Evropë mund të kryhet edhe në zonat më të thella e të izoluara të vendit përmes energjetikës, - tha ministri, duke ritheksuar edhe njëherë se projekti i Devollit është një projekt i bazuar tërësisht në energji të pastër dhe realizimi i tij do të bëhet tërësisht sipas standardeve evropiane. Por, - shtoi ministri Dritan Prifti, - është detyrë e jona për të siguruar që çdo element sado i vogël i ndikimit në mjedis të merret parasysh dhe të respektohet në ndërtimin e këtij projekti. Dëgjesa publike vijoi me shpjegimet e ekspertëve lidhur me projektin energjetik të kaskadës së Devollit.