E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ul rrogat e mbrojtësve të dëshmitarëve

Shkurtohen pagat e punonjësve të sektorit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë në Drejtorinë e Krimit të Organizuar. Qeveria ka ulur nga 21 mijë lekë deri në 30 mijë lekë në muaj pagat e punonjësve që merren me mbrojtjen e dëshmitarëve. Deri tani, kjo kategori merrte një shtesë mbi pagë për gradë, për vështirësi pune dhe shërbimi. Vendimi i djeshëm i qeverisë shfuqizoi vendimin e mëparshëm, duke shkurtuar të ardhurat mujore të Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve e të Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.

Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, punonjësve me gradën nënkomisar do t‘u shkurtohet pagesa mujore në masën 21.600 lekë. Punonjësit e sektorit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë që kanë gradën komisar do t‘u ulet pagesa me 26.800 lekë në muaj. Kurse për kryekomisarët, qeveria ka firmosur dje që ata të marrin 30.800 lekë më pak në muaj. Ndërkohë që një javë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për rritjen e pagave të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Vetëm dje, qeveria ka firmosur uljen e shpenzimeve për personat që mbrojnë bashkëpunëtorët e drejtësisë. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 47, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, "Për Policinë e Shtetit", të nenit 5/1, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999, "Për kompetencat për caktimin e pagave të punës", të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, "Për buxhetin e vitit 2009", me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi që të shfuqizojë vendimin nr.883, datë 22.12.2004, të qeverisë, "Për trajtimin e një pjese të punonjësve të Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve e të Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë".

Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2009. E.A

Shkurtimet

Nënkomisarët 21 600 lekë më pak

Komisarët 26 800 lekë më pak

Kryekomisarët 30 800 lekë më pak



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›