E Diel, 1 Nëntor 2026

Sesioni i ri, Kuvendi nis sot punimet

Pas 3 javësh pushime, deputetët fillojnë sot punën
TIRANË- Kuvendi do të nisë sot punimet në sesionin e gjashtë parlamentar të Legjislaturës së XVII. Pas një ndërprerje gati tre javore, sot pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të diskutojë dhe shqyrtojë miratimin e kalendarit trejavor të veprimtarisë së Kuvendit. Në këtë kalendar pritet të futen sërish për diskutim në komisionet parlamentare disa projektligje që kanë mbetur pezull që në sesionin e kaluar, si tre projektligjet për hapjen e dosjeve për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, apo ai për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Një tjetër projektligj i mbetur pezull është ai për shfuqizimin e Ligjit 7501, i cili ka mbetur thjesht për t'u votuar. Ndër të tjera, ky fillim sesioni pritet të ketë në qendër të axhendës së tij, paketën ligjore për reformën në drejtësi dhe përmirësimin e ligjit zgjedhor, në kuadër të reformës elektorale. Reforma në drejtësi tashmë ka nisur në Komisionin parlamentar të Ligjeve me shqyrtimin e projektligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë". Pjesë tjetër e paketës për reformën në drejtësi janë dhe disa ndryshime në Kodin Penal e Civil, të cilat aktualisht po diskutohen në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Pikërisht, gjatë ditës së sotme, Komisioni parlamentar i Medias do të mblidhet për të shqyrtuar nen për nen këto ndryshime. Gjithashtu, në javët e para të sesionit të ri parlamentar, pritet dhe raportimi i institucioneve kushtetuese në Parlament lidhur me veprimtarinë e tyre gjatë vitit paraardhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›