"I sëmurë", prej 3 vitesh mbahet i lidhur me zinxhir
FIER/ MAJLINDA RAMA
E pamundur për ta besuar, por ndodh në realitet. Për shumë nga ne ky rast do të klasifikohej ndër më të rëndit që përbën shkelje të të drejtave të njeriut, por kur dhimbja i kalon kufijtë duket se gjithçka bëhet e mundur. Një 26-vjeçar nga fshati Levan i komunës me të njëjtin emër, vetëm pak km larg qendrës së Fierit, ka mbi tre vjet që qëndron i lidhur me zinxhir duar e këmbë brenda një kolibeje, me një hapësirë 1m/1m. Fatmir Rashu i përket komunitetit rom e fati e ka degdisur më larg sesa mund të mendohej. Të riut i duhet të përballet me të nxehtin dhe të ftohtin sa herë që ndërrohen stinët, ndërsa më e dhimbshme situata bëhet kur mëson se djalin e kanë mbyllur aty dhe e mbajnë të lidhur me zinxhir vetë prindërit e tij. Ka më shumë se pesë vjet që djali vuan nga probleme të theksuara mendore, por në tre vitet e fundit situata e tij është përkeqësuar, duke u bërë agresiv me të gjithë fqinjët, të afërmit dhe familjarët e tij.
Djali i madh i familjes u lind dhe u rrit si të gjithë bashkëmoshatarët e tij romë, me të gjitha problemet që i sillte varfëria. Nuk kishte shkuar asnjëherë në shkollë, ndërsa punonte duke mbledhur kanoçe. Vetëm pas moshës 20-vjeçare, Fatmiri do të shfaqte probleme të depresionit, të cilët sipas të afërmve i shkaktoheshin vetëm nga kushtet eko-nomike. Babai i Fatmirit, Fahriu na tregon se ka disa kohë që e ka parë si zgjidhje të vetme mbajtjen me zinxhir të djalit, i cili në rast se do të lëshohet mund të bëjë skandal. "Kam tre vjet që e kam lidhur dhe mbyllur në atë grackë. Kam qenë i detyruar pasi ai në momente të caktuara arrin të vrasë njerëz dhe këtë nuk mund ta përballoja dot. Jemi tepër të varfër për t'i krijuar të tjera kushte. Nuk kisha çfarë të bëja. Më dhemb zemra për të. Nuk kam pasur lekë të lëviz dhe të kërkoj një vend tjetër për djalin dhe kjo më ka bërë që të ma shihni djalin në këtë gjendje. Unë e di sesa më dhemb kur e shoh ashtu, por nuk kam çfarë të bëj", thotë ai. Ndonëse përpiqet që të justifikojë vendimin e marrë, duket se prindërit e 26-vjeçarit nuk e kanë konceptin se çfarë ndodh rrotull tyre dhe se ku mund të kërkojnë ndihmë. Fakti se janë të varfër është fjalia e vetme që për ta tregon gjendjen ku ndodhen. Madje, sipas të atit dhe mjekim nuk marrin pikërisht se nuk kanë lekë. Familja Rashu jeton me ato para që sigurojnë prindërit nga shitja e kanoçeve, ndërsa në oborr sheh disa pula. Ajo është vendosur në lagjen e romëve, në fshatin Levan prej rreth 30 vitesh.
Në dukje, veç asaj që e rrethon, Fatmiri nuk të jep përshtypjen e një personi të rrezikshëm. Ai nuk flet asnjë fjalë, por këndon pa i bërë përshtypje se çfarë ndodh rrotull. Ndonëse prej 3 vitesh vijon të qëndrojë i lidhur brenda një ndërtesë të improvizuar që nuk e lidh asgjë me të qenit banesë për të jetuar. Aty i sjellin ushqim prindërit ose fqinjët, të cilëve u dhimbset për fatin e keq. Familja e tij prej 7 anëtarësh jeton në një barakë, disa metra më larg kolibes së të riut. Kushtet janë njësoj, vetëm se familjarët e tjerë mund të dalin e të lëvizin, pa qenë të detyruar të mbajnë zinxhirë, ashtu si Fatmiri.
Fqinjët, dëshmitarët e vetëm
Edhe fqinjët e Fatmirit duket se kanë qenë të prekur nga ky rast, ndërsa të gjithë janë munduar këto kohë që t'i afrojnë mundësi për t'u ushqyer apo veshur. "Është gjynah te Zoti. Ja kështu rri, ka kohë. Nuk e shikojmë dot se na vjen keq. Shteti duhet ta kishte ndihmuar se nuk ka marrë ndihma asnjëherë. Ta shërojnë, pse ta lënë kështu. Është djalë i ri", thonë fqinjët, të gjithë pjesëtarë të komunitetit rom të zonës. Megjithëse fajësojnë shtetin, askush përreth lagjes së tyre nuk pranon se ka pasur dijeni për këtë rast tragjik. Ndërsa vetë banorët e pranojnë si fakt, duke u përpjekur të ndihmojnë me ç'të mundin familjen. Lagjja e romëve ndodhet në periferi të Levanit, i rrethuar nga fshatrat e Fierit, por ndonëse njihet si e varfër, historia e Fatmir Rashus e kalon cakun e imagjinatës.