E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Pas 28 qershorit, prioriteti kryesor i LSI-së do të jetë punësimi

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, premtoi politika sociale dhe kryesisht punësim për të gjithë jetimët, si një prioritet të jashtëzakonshëm. Meta zhvilloi dje një takim me disa familje në një prej qendrave të jetimëve, të cilët jetojnë në kushte tepër të rënduara pranë Shkollës së Hoteleri-Turizëm në Tiranë. I shoqëruar edhe nga nënkryetarja e LSI, Filloreta Kodra dhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, Meta bisedoi me kryetarin e Shoqatës së Jetimëve Kadri Aliaj. Kryetari i Shoqatës së Jetimëve, por edhe jetimët që jetonin në kushte të vështira në konviktin e shkollës së Hoteleri-Turizmit, ku në një dhomë të vetme jetonte një familje me dy fëmijë të vegjël, shprehën falënderim për kreun e LSI-së, si i vetmi politikan që po u kushton atyre vëmendje. Vetë jetimët shprehën gjatë takimit të djeshëm shqetësimin se nuk kishin punë dhe se nuk arrinin të siguronin të ardhura minimale për të jetuar. Njëkohësisht, ata u shprehën se kishin 4 ditë që nuk kishin drita fare, sikurse edhe uji mungonte herë pas here. Kryetari i LSI-së duke ndarë me ta shqetësimin për kushtet ku jetonin jetimët, tha se pas 28 qershorit prioritet i programit qeverisës do të jetë punësimi i jetimëve për të garantuar mjetet e jetesës së tyre. “Në themel të gjithë angazhimit tonë të ardhshëm dhe qeverisës do të jetë punësimi dhe punësimi për jetimët do të jetë një prioritet i jashtëzakonshëm, pasi është e tmerrshme të shikosh që njerëz që kanë qenë jetim që të vegjël, të cilët edhe pasi kanë mbaruar shkollën e mesme ndihen jo vetëm jetimë, por edhe të papunë, të paintegruar, të braktisur. Madje, shpesh ka nga ata që përfundojnë në azile, pa punuar, pa u integruar në shoqëri. Mendoj se nuk duhet të ketë më në një Shqipëri të tillë”, tha Meta. kreu i LSI-së kërkoi dhe nga bashkia e Tiranës më shumë vëmendje për këtë shtresë sociale. “Shpresoj që dhe Këshilli i Bashkisë dhe Bashkia të tregojë më shumë vëmendje për t’i ndihmuar dhe për t’i mbështetur këto qendra dhe vetë banorët e këtyre qendrave, që nuk duhet të ndihen të përjashtuar nga të gjitha vendimet e rëndësishme të shoqërisë sonë dhe kryeqytetit tonë”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›