PDK: Topalli po personalizon NATO-n
Partia Demokristiane akuzoi dje kreun e Kuvendit, Jozefina Topalli se po personalizon festën e marrjes së ftesës për në NATO nga ana e Shqipërisë. Gjatë një konference për shtyp, nënkryetari i PDK-së, Vladimir Beja tha se, “gëzimin e ligjshëm të kombit shqiptar për këtë arritje me rëndësi të jashtëzakonshme politike si nënkryetarja e PD-së, zonja Topalli, po përpiqen ta personalizojnë dhe ta partizojnë pranimin e Shqipërisë me të drejta të plota në organizatën më të fuqishme politike ushtarake të botës. Përdorimi i fëmijëve me bluza ku ishin shkruar “Unë në NATO”, të kujtonte “pionierët e Enverit”, që sot mund të quheshin me pa të drejtë “pionierët e Jozefinës”?! Sipas tij, “përdorimi i ngjyrës politike të PD-së, blu, në vend të ngjyrës së flamurit tonë kombëtar në bluzat e fëmijëve ishte një abuzim tjetër me vlerat e vërteta të kësaj ngjarje të pakrahasueshme me ndonjë të tillë më parë në historinë tonë kombëtare”.