Topi: Pse s’i firmosa “Dosjet”
Përherë kam qenë mbështetës i hapjes së dosjeve. Por, ka pasur shumë çështje mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji. Kështu është shprehur Presidenti Topi gjatë një interviste për gazetën kroate “Jutarnji List” lidhur me ligjin e Dosjeve. Kreu i shtetit ka folur gjithashtu edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe zgjedhjet e 28 qershorit.
Shqipëria dhe Kroacia muajin e ardhshëm do të hyjnë në NATO. Sa është e rëndësishme kjo ngjarje për Ballkanin?
Hyrja e Shqipërisë së bashku me Kroacinë në NATO ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tim. Ky është një sendërtim i dëshirës së popullit shqiptar për integrim në familjen euroatlantike. Shqipëria nuk është më e izoluar. Me hyrjen në NATO ne bëhemi vend i sigurt dhe pjesë e një rajoni të sigurt në të cilin bëjmë pjesë. Kjo siguri do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, sigurinë shoqërore dhe stabilitetin e institucioneve.
Në Shqipëri, në fund të muajit qershor, do të mbahen zgjedhjet parlamentare. A do të jenë të ndershme, duke marrë parasysh vërejtjet se zgjedhjet e mëparshme nuk kanë qenë krejtësisht të ndershme?
Nëse zgjedhjet e qershorit do të jenë të lira, korrekte dhe të ndershme, ato do të jenë vendimtare për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri nuk mund të përshkruhen si të ndershme. Kësaj here Parlamenti shqiptar ka miratuar në kohën e duhur një ligj zgjedhor, gjë e cila do të thotë se ekziston konsensus që zgjedhjet do të jenë korrekte.
Ju nuk keni firmosur ligjin kontravers mbi lustracionin, por edhe nuk e keni kundërshtuar?
Ligji është shkruar që para dhjetë vitesh. Edhe atëbotë isha i përfshirë në politikë dhe një nga mbështetësit më të zjarrtë të hapjes së dosjeve. Mendoja edhe asokohe edhe tani po kështu mendoj, se njerëzit që duan të bëjnë karrierë politike duhet të jenë të pastër. Lustracioni ka qenë temë e një diskutimi të gjerë në shoqërinë shqiptare. Më në fund ligji u votua në Parlament nga shumica në qeveri. Mund të firmosja, ta kundërshtoja ose të heshtja. Kjo e fundit nënkupton se ligji hyn në fuqi me automatizëm. Përherë kam qenë mbështetës i hapjes së dosjeve. Por, ka pasur shumë çështje mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji. Për shkak të këtyre qëndrimeve kundërshtuese vendosa heshtjen. Partitë e opozitës dhe disa organizata kanë kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese, e kjo e fundit i është drejtuar Komisionit të Venecias (Komisioni Europian për demokraci nëpërmjet së drejtës) për këshillim. Në fund Gjykata Kushtetuese mori vendimin për ngrirjen e zbatimit të këtij ligji derisa të arrijë sugjerimi nga Venecia.