Basha: Presim përgjigje pozitive nga KE për vizat
Shqipëria pret një vendim pozitiv nga Komisioni për çështjen e liberalizimit të vizave. Kështu deklaroi Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë seancës dëgjimore që zhvilloi në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Në lidhje me qëndrimin e Komisionit Evropian për vizat, ministri Basha deklaroi se “ne presim me qetësi, pas këtij raporti, propozimin pozitiv të Komisionit, i cili padyshim do t’i hapë rrugë një vendimmarrjeje pozitive nga Këshilli i Ministrave dhe nga Parlamenti Evropian”. Pyetjes së deputetit të PD-së, Paluca, se sa ndikojnë qëndrimet e opozitës në procesin e liberalizimit të vizave, Basha iu përgjigj se thirrjet e PS-së për protesta nuk janë pozitive. “Fatmirësisht për kriteret teknike nuk kemi qenë të varur nga vullneti i z. Rama. Ndërsa procesi në vetvete nuk është një proces robotik. Dhe po t’i referohemi edhe deklaratës së eurodeputetes Fajon, raporteve për vizat, të bëra publike në mediat sllovene dhe më pas shqiptare ka një shqetësim se tensionimi i qëllimshëm apo përpjekja për tension social dhe politik nëpërmjet protestave, për të cilat është përdorur një retorikë e papranueshme antikushtetuese nga z. Rama dhe disa anëtarë të bordit të revoltës, natyrisht që kjo nuk le asnjë gjurmë të mirë dhe asnjë shije të mirë te partnerët tanë dhe natyrisht që kjo nuk jep asnjë kontribut pozitiv për procesin e liberalizimit të vizave”, deklaroi Basha.