E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Po cenohet media

Tiranë -Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka dënuar sot vendimin e qeverisë për të larguar nga ndërtesa gazetën “Tema”. Meta theksoi se historia e bllokimit apo djegieve të gazetave nuk është diçka e re në CV e kryeministrit Berisha-por shtoi se “është krejtësisht absurde dhe e papranueshme që ngjarje të tilla si këto të kohëve të fundit me gazetën “Tema”, rikthehen në Shqipërinë e vitit 2009, pasi kuptohet që liria e medias, liria e informacionit dhe liria për të kritikuar pushtetin dhe Qeverinë janë esenciale për thelbin dhe për vetë funksionimin e një sistemi demokratik”.

Meta tha më tej, se kjo gazetë dikur ka qenë e privilegjuar e qeverisë, ndërsa sot që hedh kritika ndaj saj, qeveria Berisha e persekuton atë. “Këto dy standarde që përdor Berisha ndaj gazetës Tema nuk janë të reja për politikën shqiptare, por janë tërësisht të dënueshme dhe të papranueshme, pasi liria e gazetarit është shumë e shtrenjtë për Shqipërinë, ashtu sikurse është edhe vetë liria e çdo qytetari. Por, kuptohet kur cenohet një gazetar, kur cenohet një gazetë, si mund të respektohen të drejtat e qytetarëve të tjerë, që nuk kanë ku të mbrohen dhe nuk kanë ku të ankohen”-vijoi Meta.

Deklaratat e kreut të LSI-së, u bënë gjatë një takimi me drejtuesit e Forumit për Demokraci dhe Etikë (FDE), ku është kërkuar për të shpallur 17 Janarin ditë lutjeje dhe reflektimi. Drejtuesi i këtij forumi Arian Galdini theksoi se ishte marrë një nismë e tillë për të bërë në Shqipëri një politikë, e cila i shërben qytetarit, për të bërë në Shqipëri një politikë ku pushtetari zhvishet nga pushteti dhe kthehet në një qytetar, duke i shërbyer pikërisht atij elementi, i cili sjell një Shqipëri ndryshe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›