E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Presidenti duhet të zgjidhet direkt nga populli

Ilir Meta

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, propozon zgjedhjen e Presidentit nga populli. Gjatë një interviste për emisionin Bugajski hour nga gazetari Janush Bugajski në AS, ai foli gjithashtu edhe për negociatat e javëve të fundit përpara se të votohej Bujar Nishani.
Si mendoni, cila ishte arsyeja për mosarritjen e këtij konsensusi? Pse kandidati u zgjodh me një rezultat më të ngushtë se sa ai i përgjithshmi në Parlament?
Unë besoj se ne kemi lënë pas një proces, i cili, edhe pse nuk kërkohej domosdoshmërisht nga Kushtetuta, për shkak të ndryshimeve kushtetuese që u bënë katër vite më parë dhe që forca politike që unë përfaqësoj i ka kundërshtuar në mënyrë shumë të qartë, përsëri u zhvillua një proces që për fat të keq nisi vonë, por që sidoqoftë, ishte një proces i vërtetë, ishte një proces gjithëpërfshirës, ishte një proces ku u përfshinë të gjithë aktorët, ishte një proces ku u diskutua dhe ku u evidentuan kandidatura të mundshme, të cilat mund të fitonin konsensusin e përgjithshëm, pra të dyja palëve. Por, natyrisht, theksoj se fakti që ky proces nisi me vonesë dhe vetë afatet kushtetuese, por dhe mosçlirimi ende nga disa paragjykime që janë më shumë të karakterit psikologjik dhe mosbesues, sesa thelbësore, solli disa zhvillime të paparashikuara apo të papritura, sikurse ishte tërheqja e disa kandidatëve dhe, natyrisht, dhe emergjenca e respektimit të afateve kushtetuese për shkak dhe të evitimit të zgjedhjeve të parakohshme, sepse nëse kishte diçka për të cilën Shqipëria nuk kishte nevojë, mendoj se ishin zgjedhjet e parakohshme, aq më tepër kur ende ne nuk kemi përfunduar dhe reformën zgjedhore dhe kur dihet se në të kaluarën ka pasur kontestime ndaj proceseve zgjedhore.
A mendoni, përsa i përket procesit të zgjedhjes së Presidentit, duhet të bëjë Shqipëria zgjedhje direkt presidenciale, si shumica e vendeve në Europë, zgjedhje ku do të kishim një mandat më të gjerë publik për Presidentin sesa një proces jo të drejtpërdrejtë që vendoset në Parlament? Si mendoni, duhet të mbajë Shqipëria zgjedhje presidenciale direkt?
Unë jam plotësisht i mendimit se çështja e zgjedhjes së Presidentit nga Parlamenti si në të kaluarën apo dhe në rastin e fundit, tregoi se është e domosdoshme që ky të jetë një proces më transparent dhe, natyrisht, që të jetë i tillë, rruga më e mirë do të ishte ajo që Presidenti të zgjidhej drejtpërdrejt nga qytetarët. Pavarësisht se kjo nuk duhet të ndikojë në ndryshimin e sistemit tonë dhe ndoshta as në rritjen e kompetencave të Presidentit, i cili sidoqoftë, nuk ka pak kompetenca dhe nuk është një figurë thjesht ceremoniale, ka një rol të rëndësishëm sidomos në fushën e Drejtësisë dhe të institucioneve të pavarura. Absolutisht që një zgjedhje e drejtpërdrejtë nga qytetarët mendoj se do ti jepte atij dhe një autoritet më të madh moral po dhe gjithçka do ta bënte më transparente dhe nuk do të ishte një harxhim i panevojshëm i kohës. Përkundrazi, do të kishte një ushtrim tjetër demokracie dhe transparence.
Sa mbështetje gjen në Parlament zgjedhja direkte e Presidentit? A e mbështesin këtë çështje shumica e partive apo e deputetëve?
Ne këtë çështje e kemi ngritur dhe kur u bënë ndryshimet e fundit kushtetuese, atëherë të dyja partitë kryesore ishin në unison për të bërë këtë ndryshim me idenë për të evituar krizat e panevojshme që mund të vinin nga imponimi në Kushtetutë i zgjedhjes së Presidentit në të gjitha raundet me 60 për qind plus 1 të votave, ndërkohë që nuk erdhi asnjë krizë e tillë as në vitin 2002, kur u zgjodh për herë të parë zoti Moisiu, as në vitin 2007, kur u zgjodh zoti Topi. Megjithatë, unë besoj se mund të arrihet një konsensus për këtë çështje në të ardhmen, pa shtuar kompetencat e Presidentit, tiu jepet mundësia qytetarëve që të votojnë, po tiu jepet mundësia dhe kandidatëve të ndryshëm që të shpalosin alternativat e tyre, jo para kryetarëve të partive, por para qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›