Vepro tani, Arvizu shpall nismën për reagimin qytetar

Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu
Ambasadori i SHBA: Pse KQZ injoron 62 mijë firma për plehërat.
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u është drejtuar vetë qytetarëve shqiptarë për të reaguar ndaj padrejtësive në vend. Nëpërmjet një nisme të Diplomacisë amerikane në Tiranë, e titulluar Vepro tani, ai ka kërkuar zgjimin e reagimit qytetar dhe të shoqërisë civile. Disa prej jush mund të kujtojnë që pak kohë më parë u takuan me një vizitor nga Uashingtoni. Unë dhe ai u goditëm nga një shprehje e njërit prej jush, i cili tha se vitet e fundit, hapësira ku vepron shoqëria civile është zvogëluar ndjeshëm, dhe kjo na goditi të dyve. Sepse përgjigjja nuk është në krijimin e një zyre qeveritare që mbikëqyr dhe drejton shoqërinë civile. Përgjigjja është tek dhënia e më shumë hapësire jo vetëm shoqërisë civile, por edhe individëve, në mënyre që tu përgjigjemi sa më shumë shqetësimeve të qytetarëve. Të dëgjojmë atë që kanë për të thënë, tha Arvizu. Në prani të qindra përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve, kryediplomati amerikan në vendin tonë renditi një sërë ngjarjesh të kohëve të fundit, për të cilat vetë qytetarët duhet të reagojnë. Kam një pyetje. Përse është penguar realizimi i referendumit për plehrat? Përse KQZ-ja, e cila duhet të veprojë brenda një afati kohor të përcaktuar, nuk ka dhënë një përgjigje, edhe pse kërkesa është firmosur nga më shumë se 50 mijë qytetarë? Le të ndalemi pak te kjo nismë, që është Vepro tani!, tha Arvizu. Sipas tij, kjo është për çdo qytetar të Shqipërisë dhe është për ndryshimin qe ne duam, për atë që gjendet në çdo cep të këtij vendi të bekuar, që gjendet në pikëllimin e studentëve dhe pedagogëve të universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan, ku një autobus i mbushur me studentë ra në një luginë nga një qafë e rrezikshme pranë Himarës; gjendet në hidhërimin e një familjeje në Dukagjin, ku një vajzë 17-vjeçare u bë pre e një dhune të pakuptimtë, e cila sduhet të ketë vend në Shqipërinë e shekullit të 21-të; gjendet te banorët e Sarandës, të cilët kanë parë se si qyteti i tyre ka humbur nga hijeshia e është kthyer në një kanion të betonuar; gjendet në Gjirokastër, ku qytetarët shohin se si bien shtëpitë historike; gjendet në Tiranë, ku nga drejtimi i makinave lëvizja është e rrezikshme për këmbësorët, por edhe ngarësit e makinave, ndaj vepro tani!. Nisma Vepro tani u drejtua nga gazetari Adi Krasta, ndërsa u përshëndet nëpërmjet një video-konference nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare, nga ish-presidenti i vendit Alfred Moisiu dhe nga këngëtarja përfaqësuese në Eurosong, Rona Nishliu.
12 mënyra për tu përfshirë
Bëj të dëgjohet zëri yt!
Merr pjesë në mbledhjet e bashkisë dhe përcillua shqetësimet e tua përfaqësuesve bashkiakë.
Voto!
Ushtro të drejtën tënde të votës për të zgjedhur ata që të përfaqësojnë dhe që do të të japin llogari ty dhe komunitetit tënd.
Përfshihu!
Kandido për në këshillin bashkiak ose në një parti politike.
Riciklo!
Veço materialet e përdorura, si plastikë, letër, pajisje elektronike dhe kërko nga bashkia zbatimin e një programi për menaxhimin e mbetjeve të ngurta.
Ndihmo të mbash pastër Shqipërinë!
Organizohu dhe vepro për të ruajtur natyrën dhe zbukuruar mjedisin në Shqipëri.
Thuaju Jo paketimeve plastike!
Përdor çantë pëlhure për të mbajtur ushqimet.
Jep ndihmesën tënde për dijen dhe edukimin!
Dhuro libra dhe kompjuterë të përdorur për bibliotekën e shkollës në lagjen tuaj.
Familja dhe komuniteti në plan të parë!
Krijo një shoqatë që ka për qëllim forcimin e partneritetit familje-shkollë-komunitet.
Shkolla të hapura!
Bëhu pjesë e diskutimeve me drejtorinë e shkollës për ecurinë e punës në shkollë dhe për përgjegjshmërinë më të madhe të saj.
Paguaj sigurimin tënd shëndetësor!
Mos u jep para nën dorë mjekëve dhe infermierëve dhe denonco korrupsionin në spitale dhe klinika.
Kujdesu për ata që kanë nevojë!
Ofro gatishmërinë tënde për tu kujdesur, një pasdite në muaj, për fëmijët jetimë në Maternitetin e Tiranës.
Dhuro gjak!
Çdo ditë nevojitet më shumë se 13.5 mililitra gjak për të rriturit dhe fëmijët talasemikë në Shqipëri.
Shkrimtari përshëndet nismën e SHBA
Kadare: Humbja e besimit te Drejtësia, greminë morale

Ismail Kadare
Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, iu drejtua takimit të djeshëm përmes video-konferencës, ku tregoi edhe arsyet përse e mbështet nismën e Ambasadës së SHBA. Para ca ditësh zoti Arvizu më kërkoi, më shfaqi mendimin e tij për një nismë, aksion, strategji të tij për të angazhuar opinionin qytetar shqiptar për zgjidhjen e punëve. Me kënaqësi pranova ta mbështesja. Për dy arsye kryesore: Kjo vjen nga një shtet i madh aleat dhe për mua është prekëse që ai vazhdimisht i ndjek punët në mënyrë të hapur, të gjerë, të gjithanshme. Kjo nismë bën pjesë në këtë përkushtim të aleatit tonë të madh, tha Kadare. Sipas tij, ka probleme në dekulturimin e vendit, prishje të sistemit arsimor. Ka një milion njerëz, fati i të cilëve varet nga kjo gjë. Dhe njerëzit duhet të japin mendimin e tyre, energjinë e tyre. Një tjetër greminë morale sot është humbja e besimit te Drejtësia. Nuk duhet lejuar kurrsesi. Është katastrofë e vërtetë. Këto duken probleme të ndryshme, por kanë lidhje kauzale mes tyre. I uroj ambasadorit që ta zhvillojë këtë nismë siç duhet! Të përfshijë sa më shumë qytetarë, njerëz, ide!.
Moisiu
Ish-presidenti Alfred Moisiu ka firmosur i pari në mbështetje të kësaj nisme. Ne duhet të zbatojmë profecinë e lashtë të Arkimedit, të gjejmë pikën ku do ta mbështesim levën për ti detyruar këta njerëz që kanë marrë përsipër të drejtojnë, të bëjnë atë që duhet në shërbim të popullit dhe atdheut, tha Moisiu.